SHBA: Është koha për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Prishtinë, 30 janar 2023 – Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë ritheksuar edhe një herë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një vështrim ekskluziv dërguar KOHËS, Chollet e Escobar kanë shpjeguar se Asociacioni do t’i ketë funksionet për të cilat kanë kompetenca të gjitha komunat në Kosovë.

“Ka pasur shumë diskutime për Asociacionin dhe ka ardhur koha të tregohet qartë se çka është ky Asociacion e çka jo. Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe, për t’i bashkërenditur çështjet dhe shërbimet, si: arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse. Është mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës”, thuhet në vështrimin e dy zyrtarëve të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit.

Chollet e Escobar kanë bërë të qartë së SHBA-ja nuk mbështet një Asociacion i cili do t’ia shtonte qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

Ata theksojnë se Asociacioni nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të cenojë sovranitetin dhe rendin kushtetutes të Kosovës.

“Zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH)”, theksojnë Chollet dhe Escobar.

Ata ritheksojnë se zbatimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë “është obligim i mbetur, ligjërisht i detyrueshëm”.

(r.m.)