Miliona amerikanë në mbarë vendin shijuan dje një ditë pushimi si pjesë e festimeve kombëtare me rastin e Ditës së Presidentëve.
Fillimisht kjo ditë u shpall festë federale në vitin 1879 për të kremtuar 22 shkurtin, ditëlindjen e George Washingtonit, presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara. Afro një shekull më vonë, në vitin 1968, Kongresi miratoi një ligj që shpallte se disa festa do të kremtoheshin jo në datën e tyre të saktë por të hënave, në mënyrë që njerëzit të mund të bëjnë tri ditë rrjesht pushim.
Shitësit shfytëzojnë Ditën e Presidentëve, që festohet çdo vit të hënën e tretë të shkurtit për shtuar blerjet duke ulur çmimet.
Megjithëse kjo ditë ende njihet zyrtarisht si ditëlindja e George Washingtonit, ajo është kthyer sot në Ditën e Presidentëve, për të festuar ditëlidjet e Washingtonit dhe Abraham Lincolnit, presidenti i 16 amerikan, ditëlindja e të cilit është më 12 shkurt. Ditëlindja e Lincolnit asnjëherë nuk ka qënë një ditë zyrtare pushimi, pavarësisht se shumë shtete e kanë festuar atë gjithmonë. Sot, Dita e Presidentëve shihet gjerësisht si ditë për të nderuar të gjithë presidentët që nga themelimi i Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Barak Obama, e kaloi fundjavën në Florida duke luajtur golf me numrin dy të botës në golf, Tiger Woods, fitues i 14 titujve sportivë. (VOA)