Uashington, 19 tetor 2023 – Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin vendosi mbi 2 mijë pjesëtarë të ushtrisë në gjendje gatishmërie këtë javë.
Pentagoni i tha Zërit të Amerikës se nëse presidenti aktivizon njësitë, ato do të forconin më tej kapacitetin ajror të ushtrisë amerikane; aftësitë mjekësore dhe logjistike; si dhe aftësitë e zbulimit dhe vëzhgimit në Lindjen e Mesme.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb, sjell më shumë hollësi mbi masat që Shtetet e Bashkuara po marrin në rajon.
Një tjetër grup i avionëve luftarakë i shtohet forcës sulmuese detare amerikane në Mesdhe.
Aeroplanmbajtësja “USS Dwight D. Eisenhower” do t’i bashkohet aeroplanmbajtëses tjetër USS Gerald R. Ford, e vendosur në gjendje gatishmërie në lindje të rajonit.
“Qëllimi ynë kryesor duke vendosur jo një, por dy aeroplanmbajtëse atje, është dërgimi i mesazhit të parandalimit, për të paralajmëruar aktorët në rajon, që mendojnë se mund ta shfrytëzojnë këtë konflikt”, thotë Sabrina Singh, Zëvendës Sekretare e Shtypit në Pentagon.
Pjesëtarët e bordit të luftanijes “USS Ford”, më e madhja dhe më e modernia amerikane, sa e kishin përfunduar misionin e tyre gjashtëmujorë. Por, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin e zgjati për kohë të pacaktuar qëndrimin e tyre në rajon.
Tri anijet e grupit amfib “USS Bataan” po vendosin mijëra marinsa në ujërat pranë Izraelit, të gatshëm të depërtojnë në territor armiqësor, ose të ofrojnë kujdes dhe ndihmë mjekësore. Një skuadrilje e avionëve sulmues A-10 ka mbërritur në Lindjen e Mesme, krahas vazhdimit të vendosjes së një skuadrilje tjetër të avionëve sulmues A-10.
Shtetet e Bashkuara po shtojnë edhe numrin e avionëve luftarakë F-15 dhe F-16, ndërsa rriten shqetësimet se Hezbollahu mund t’i bashkohet luftës nga veriu, sapo të fillojë sulmi i pritshëm tokësor i Izraelit në Gazë.
“Hezbollahu ka rreth 200 mijë raketa dhe predha. Aftësia për t’i goditur pozicionet e tyre është tepër e rëndësishme. Këto dislokime shtesë krijojnë atë mundësi”, thotë Dakota Wood nga Fondacioni Heritage.
Përveç rritjes së pranisë ushtarake, Shtetet e Bashkuara dërguan të paktën pesë avionë transporti C-17 me ndihma ushtarake për Forcat izraelite të Mbrojtes.
“Ne po furnizojmë Izraelin me sisteme të sigurisë për të shkatërruar dhe zmbrapsur Hamasin në Gazë. E përsëris sa herë të doni: kjo nuk nënkupton vrasjen e civilëve të pafajshëm”, thotë Sabrina Singh, Zëvendës Sekretare e Shtypit në Pentagon.
Zyrtarët amerikanë të Mbrojtjes thonë se administrata po angazhohet për të furnizuar Izraelin me municione precize dhe raketa për sistemin e saj të mbrojtjes ajrore “Iron Dome”.
(Zëri i Amerikës)