Zëri i Amerikës
Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë një të tretën e furnizimeve të reja me naftë gjatë 5 vjetëve të ardhshëm, madje do të plotësojnë nevojat e tyre për energji pas 20 vjetësh. Këto parashikime u njoftuan nga Agjencia Ndërkombëtare Energjitike me seli në Paris. Megjithëse importet amerikane të naftës nga vendet e Gjirit Persik u shtuan vitin e kaluar, analistët parashikojnë se Shtetet e Bashkuara do të shkëputen nga varësia tek nafta e Lindjes së Mesme, hap ky që do të kishte ndikime të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në balancën e fuqisë.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë e përshkruan prodhimin e ardhshëm të naftës në Shtetet e Bashkuara si një tronditje me pasoja të ndjeshme në tregjet botërore të naftës.
John Mitchell është analist i tregjeve të naftës në Institutin Chatham House në Londër.
“Kyçi i këtij fenomeni është shtimi i nxjerrjes së naftës nga formacionet shkëmbore në Shtetet e Bashkuara, proces që ka filluar para disa vjetësh, por ka arritur në nivele të larta gjatë 3 vjetëve të fundit”.
Nafta dhe gazi nxirren duke përdorur lëngje të presuara për ta nxjerrë produktin nga shkëmbi, proces që njihet si frakturim hidraulik. Disa shtete amerikane dhe vende evropiane e kanë ndaluar këtë praktikë nga frika se mund të shkaktojë ndotje të mjedisit, madje edhe tërmete.
Megjithë këto debate, Agjencia Ndërkombëtare Energjitike thotë se kjo teknologji do të ndihmojë Shtetet e Bashkura të përmbushin nevojat e brendshme me naftë deri në vitin 2035. Prodhimi me gaz në Shtetet e Bashkuara pritet të jetë më i madh se ai në Rusi.
John Mitchell beson se koncepti i sigurisë energjitike së shpejti nuk do të diktojë më politikën e jashtme amerikane.
“A do të vazhdojë Lindja e Mesme të jetë kaq e varur nga mbështetja ushtarake amerikane? Jam i sigurtë se përgjigja ndoshta është po, por në të njëjtën kohë Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë të njëjtat interesa në atë rajon sa në të kaluarën”.
Mos varja tek energjia e huaj në Shtetet e Bashkuara mund të ketë pasoja të mëdha për politikat e Lindjes së Mesme. Christopher Davidson i Universitetit Durham të Britanisë ka shkruar librin ‘Pas Sheikëve: Rënia e ardhshme e monarkive të Gjirit Persik’.
“Ka gjithashtu të ngjarë të shikojmë Shtetet e Bashkuara të fillojnë të hartojmë më mirë politikat e tyre ndaj monarkive në Gjirin Persik”.
Në Bahrein, vend aleat i Shteteve të Bashkuara, një revoltë e llojit të Pranverës Arabe ka shpërthyer herë pas here që prej vitit 2011.
Zoti Davidson thotë se shumë monarki të pasura me naftë të Gjirit Persik po përpiqen të qetësojnë popullatat e tyre me kompensime qeveritare për të parandaluar revolta të tilla në të artdhmen. Por rënia e të ardhurave nga eksportet e naftës mund të shkaktojë trazira politike.
“Brënda një periudhe 2 vjeçare, ne do të shikojmë deficite shpenzimesh publike në shumicën e monarkive të Gjirit Persik. Në të njëjtën kohë, ne po shikojmë edhe ndikimin e Pranverës Arabe në Siri dhe në Afrikën Veriore, që po fillon të fuqizojë popujt në ato vende, të cilët nuk dëshirojnë më të tolerojnë sistemin autokrat”.
Zoti Davidson thotë se gjatë dekadave të ardhshme vendet e Gjirit Persik do të shtojnë eksportet e tyre të naftës drejt lindjes.
“Por ajo që do të mungojë në këtë skenar janë marrëdhëniet e sigurisë që fuqitë perëndimore kanë siguruar me kalimin e kohës në Gjirin Persik. Këto vende e dinë fare mirë dhe unë dyshoj se ato bëjnë blof kur thonë se Kina dhe vendet aziatike të Paqësorit nuk mun d të zëvëndësojnë Perësnimin si garntuesi i tyre i fundit”.
Analistët thonë se bumi i naftës do t’i japë ekonomisë amerikane një avantazh konkurues me furnizime të lira nafte, që eliminojnë pozitat e pambrojtura ndaj gjeopolitikave globale.