Uashington, 16 mars 2022 – Presidenti Joe Biden njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po i dërgojnë armatime të reja Ukraninës mes tyre kundër-ajrorë, anti-tanke dhe dronë si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të ndihmuar këtë vend për t’u mbrojtur nga Rusia.
Komentet e presidentit erdhën pasi ai njoftoi zyrtarisht se administrata e tij po dërgonte 800 milionë dollarë shtesë në armatime në Ukrainë, duke e çuar në 2 miliardë dollarë totalin e ndihmës dërguar Kievit që kur zoti Biden mori detyrën më shumë se një vit më parë. Rreth 1 miliard dollarë ndihmë janë dërguar vetëm javën e fundit.
“Ne do t’i japim Ukrainës armët për të luftuar dhe për të mbrojtur veten gjatë të gjitha ditëve të vështira që po vijnë”, tha Presidenti Biden.
Fjalimi i Presidentit Biden erdhi disa orë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbajti një fjalim para anëtarëve të Kongresit amerikan duke kërkuar me shumë ndihmë për vendin e tij të rrënuar nga lufta.
Presidenti Biden tha se ai e dëgjoi fjalimin domethënës, siç e quajti ai, të homologut të tij Zelenskyy, por ai nuk e trajtoi drejtpërdrejt thirrjen e presidentit ukrainas drejtuar Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit se mund të bëjnë më shumë. Presidenti Biden tha se fjalimi i zotit Zelenskyy pasqyronte guximin dhe forcën që ukrainasit kanë treguar gjatë gjithë krizës.
“Ne jemi të bashkuar në neverinë tonë ndaj sulmit të furishëm e të paprincipë të Putinit dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim ndërsa ata luftojnë për lirinë, demokracinë si dhe vetë mbijetesën e tyre”.
Zoti Biden ka thënë prej kohësh se SHBA-të nuk do të angazhohen me trupa ushtarake në terren në Ukrainë dhe i ka rezistuar lutjeve të vazhdueshme të zotit Zelenskyy për avionë luftarakë, duke e quajtur atë si diçka shumë të rrezikshme, që mund të përshkallëzohej në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë e armatosur me armë bërthamore.
“Konflikti i drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë do të thotë një Luftë e Tretë Botërore”, ka thënë zoti Biden.
Tashmë administrata Biden i ka dërguar Ukrainës më shumë se 600 raketa Stinger, 2600 sisteme antitank Javelin, radarë, granatahedhëse, 200 mitralozë, 40 milionë fishekë për armë të vogla, helikopterë e pajisje të tjera ushtarake.
Kongresi ka miratuar tashmë 13.6 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, dhe ndihma e sapo shpallur e sigurisë do të vijë nga ky buxhet, pjesë e një projektligji më të gjerë që Presidenti Biden nënshkroi në ligj të martën.
(Zëri i Amerikës)