Uashington, 26 shkurt 2022 – Presidenti amerikan Joe Biden, e udhëzoi Departamentin e Shtetit të japë 350 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, e cila po lufton për të zbrapsur agresionin rus.
Në një memorandum për Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, zoti Biden urdhëron që 350 milionë dollar, të akorduara përmes Aktit të Ndihmës së Jashtme, të caktohen për mbrojtjen e Ukrainës.
Ukraina ka kërkuar armë antitank “Javelin” dhe raketa “Stinger” për të rrëzuar aeroplanët rusë.
Të shtunën, Sekretari i Shtetit, Blinken, tha se ky autorizim i tretë për dërgesat e armëve në Ukrainë ishte “i paprecedentë”.
Pentagoni tha se armët përfshijnë anti-blinda, armë të lehta dhe municione të ndryshme në mbështetje të vijës së parë të mbrojtjes të Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara përdorën rezervat e armëve për të furnizuar Ukrainën në vjeshtën e vitit 2021 dhe më pas përsëri në muajin dhjetor. Blinken tha se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë për sigurinë në Ukrainë gjatë vitit të kaluar.
Edhe vende të tjera kanë premtuar ushtarake për Kievin. Holanda do të furnizojë Ukrainën me 200 raketa të mbrojtjes ajrore “Stinger”.
Belgjika ka premtuar 2,000 mitralozë dhe 3,800 tonë karburant.
Franca ka vendosur të dërgojë pajisje ushtarake mbrojtëse në Ukrainë. Një zëdhënës i ushtrisë francize tha se në shqyrtim është edhe dërgimi i armëve të sulmit.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania njoftuan të premten se do të bllokonin pasuritë e Presidentit Vladimir Putin dhe të Ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, për të detyruar Putinin të ndërpresë sulmin ndaj Ukrainës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki la të kuptohet se sanksionet amerikane nënkuptojnë edhe ndalimin e udhëtimit të Putinit e Lavrovit në Shtetet e Bashkuara.
(Zëri i Amerikës)