SHBA-ja dënon ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri

Prishtinë, 24 shtator 2023 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i ka dënuar ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, më 24 shtator në veri, në të clat është vrarë një zytar i Policisë së Kosovës dhe janë plagosur dy të tjerë.

Ambasadori Hovenier i ka cilësuar “të orkestruara“ sulmet ndaj Policisë së Kosovës, duke theksuar se Policia  e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ai ka thënë se kryesit e këtyre veprave do të mbahen përgjejgës dhe do të përballen me drejtësinë.

“Shtetet e Bashkuara i dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës, sot në mëngjes, më 24 shtator. Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reagues i parë në situata emergjencash dhe krizash. Ne e vlerësojmë koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas nevojës.

Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbahen përgjegjës dhe do të nxirren para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre.

Në emër të Shteteve të Bashkuara, shpreh ngushëllimet e mia të thella për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra në krye të detyrës. Po ashtu, përcjell urimet e mia për shërim të shpejtë të dy oficerëve të plagosur”, thuhet në deklaratën e ambasadorit Hovenier.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur të dielën, herët në mëngjes, në sulmet armatosura ndaj tyre në afërsi të fshatit Banjskë, në rrugën Mitrovicë – Leposaviq. Policia njoftoi se pjesëtarët e saj janë sulmuar me armë të rënda nga disa pozicione, nga persona të maskuar.

Sulmi ishte organizuar mirë nga sulmuesit, të cilët paraprakisht e kishin bllokuar rrugën me dy kamionë.

(r.m.)