Tiranë, 1 tetor 2024 – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për skenat që u panë një ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë dhe u bënë thirrje pushtetit dhe opozitës që të zhvillojnë dialog.
Deputetët opozitarë, gjatë seancës plenare të 30 shtatorit, nxorën jashtë sallës karriget e tyre dhe i dogjën para ndërtesës së Kuvendit.
“Ambasada e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në Parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik”, u tha në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Ndërkaq, më herët ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, shprehu keqardhje për atë që ndodhi në Kuvendin shqiptare.
“Në një demokraci funksionale si Shqipëria, pakënaqësi nga më të ndryshmet duhet të shprehen në mënyrën e duhur dhe nuk duhet që të përdoret dhunë apo të bëhen dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin. Sepse deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të kenë mundësinë që të përmbushin dhe të luajnë rolin e tyre në siguri të plotë”, tha Gonzato.
Duke kujtuar se Shqipëria ndodhet para një momenti të rëndësishëm, siç është vendimi për hapjen e negociatave me BE-në, ambasadori Gonzato tha se ky zhvillim pozitiv për Tiranën kërkon bashkëpunim mes pushtetit dhe opozitës.
Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që Kuvendi të luajë rolin e duhur që Shqipëria të bëhet një vend anëtar në një demokraci funksionale, pasi kjo ka të bëjë me objektivin madhor që ka Shqipëria që të jetë në bllokun evropian.
“Thirrja që unë u bëj të gjithëve në këtë moment është t’i ktheheni dialogut, jo që të bini dakord për gjithçka, por për të diskutuar dhe dialoguar. Gjithashtu të shmangen sulmet personale apo verbale. Lutem që të ulet përshkallëzimi”, tha Gonzato pasi mori pjesë në punimet e Asamblesë parlamentare të Nismës për Evropën Qendrore, presidencën e së cilës Shqipëria e mban prej 1 korrikut.
Thirrje për dialog bëri edhe Ambasada e SHBA në Tiranë.
“Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë. Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare, teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euroatlantike”, tha Ambasada amerikane.
Më 30 shtator, deputetët e Partisë Demokratike nxorën jashtë sallës së Kuvendit karriget e tyre dhe u vunë zjarrin në shenjë proteste ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji. Ata po ashtu kërkuan një Qeveri teknike, që pas tyre, do ta çonte vendin në zgjedhjet e ardhshme parlamentre.
Ndërkaq, Partia Socialiste në pushtet dorëzoi në Kuvend kërkesën për marrjen e masave disiplinore ndaj 24 deputetëve të opozitës, që u bënë pjesë e djegies së karrigeve dhe skenave të tjera të dhunshme në sallën e Kuvendit.
Policia e Tiranës ka referuar në Prokurorinë e Posaçme, deputetët e opozitës që u bënë pjesë e këtij veprimi.
“Këta shtetas kanë kryer veprime të dhunshme duke dëmtuar foltoren e Kuvendit, kanë thyer një karrige dhe kanë hedhur në drejtim të kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, sende të forta [pjesë të karriges së thyer]. Gjithashtu kanë djegur disa karrige në ambientet e jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, u tha në njoftimin e Policisë së Tiranës.
(Radio Evropa e Lirë)