SHBA-ja dhe BE-ja të shqetësuara për tensionet e vazhdueshme në veri

Uashington / Bruksel, 28 dhjetor 2022 – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët, SHBA-ja dhe BE-ja mirëpritën garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.

Uashingtoni dhe Brukseli u bënë thirrje të gjithëve që të marrin veprime të menjëhershme për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

“Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”, thuhet në reagim.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga palët që të zbatojnë “pa vonesa të gjitha detyrimet e dialogut” për normalizimin e marrëdhënive, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Tensionet në veri janë ngritur që nga nëntori, kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës. Por, tensionet kulmuan me vendosjen e barrikadave më 10 dhjetor nga disa serbë lokalë, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.

Dejan Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai ishte duke u mbajtur në paraburgim në një stacion policor në Jarinjë, më 28 dhjetor, gjykata i ndryshoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Për shkak të barrikadave, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, janë bllokuar.

Këto dy pika kufitare, që nga 10 dhjetori janë të mbyllura. Autoritetet në Kosovë më 27 dhjetor mbyllën edhe pikën kufitare të Merdares, pasi në anën serbe të kufirit, u vendosën barrikada.

Për vendosjen e barrikadave, Kosova fajëson “grupet kriminale” që mbështeten nga Serbia. Beogradi ndërkaq ka shprehur përkrahjen për barrikadat dhe ka thënë se ato nuk do të hiqen deri kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Së fundi, në veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët.

(REL)