Uashington, 4 shkurt 2024 – Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë kryer sulme të reja ajrore kundër objektivave iraniane të shtunën vonë, duke i goditur 36 caqe të grupit rebel, Huthi, në Jemen, dhe duke e përmbushur zotimin se do t’i vazhdojnë veprimet ushtarake ndaj grupeve të cilat i kanë sulmuar interesat e Perëndimit në rajon.
Në një komunikatë për media, SHBA-ja tha se sulmet u kryen nga luftanijet dhe nga avionët luftarakë.
Sulmet janë pjesë e përgjigjes hakmarrëse të Shteteve të Bashkuara, pas një sulmi me dron në Jordani muajin e kaluar, ku u vranë tre ushtarë amerikanë.
Për këtë sulm, Uashingtoni e fajësoi Iranin dhe aleatët e tij që veprojnë në Siri dhe Irak.
Sipas njoftimit, 13 lokacione të ndryshme në Jemen u goditën nga avionët luftarakë amerikanë F/A-18 dhe nga luftanijet amerikane në Detin e Kuq.
Të shtunën, zyrtarët amerikanë thanë se besojnë se sulmet ajrore ndaj dhjetëra zonave të lidhura me Iranin në Siri dhe Irak të premten ishin të suksesshme dhe paralajmëruan sulme të tjera shtesë.
Aleatët e Shteteve të Bashkuara i mbështetën veprimet e Uashingtonit, ndërsa Irani, Iraku dhe Siria shprehën zemërim në një kohë shqetësimesh për përhapjen e konfliktit në rajonin e Lindjes së Mesme.
Britania e Madhe dhe Polonia lëshuan deklarata në mbështetje të sulmeve amerikane, duke thënë se SHBA-ja ka të drejtë të përgjigjet ndaj sulmeve dhe i paralajmëruan përfaqësuesit e Iranit në rajon se “ata po luajnë me zjarr”.
Teherani tha se i dënon “fuqishëm” sulmet ajrore amerikane.
Iraku njoftoi të shtunën se e ka thirrur në takim të ngarkuarin amerikan me detyrë në Bagdad, në shenjë proteste.
Raportimet nga Iraku dhe Siria sugjeruan se rreth 40 njerëz janë vrarë në sulmet në shtatë zona, katra në Siri dhe tri në Irak të shtunën.
Më herët, Bagdadi tha se 16 trupa të një force shtetërore të sigurisë, e njohur si Forca Mobilizimit të Popullit, e cila përfshin edhe entitete të mbështetura nga Irani, janë vrarë gjatë sulmeve. Paraprakisht kishte thënë se në mesin e të vrarëve ka edhe civilë.
Kryetari i Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani të Madhe, Rami Andulrahman, tha se 23 roje në zonat e shenjëstruara janë vrarë.
Presidenti amerikan Joe Biden kishte paralajmëruar ndërhyrje të pashmangshme, pasi një sulm me dron në bazën amerikane në Jordani i vrau tre ushtarë amerikanë më 28 janar.
“Përgjigja jonë filloi sot. Do të vazhdojë në vendet dhe në kohët që ne zgjedhim”, tha presidenti amerikan Joe Biden në një komunikatë pak pas fillimit të sulmeve të së premtes.
“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt në Lindjen e Mesme, apo diku tjetër në botë. Por, ata të cilët mund të kërkojnë të na bëjnë dëm neve, ta dinë këtë: Nëse e lëndoni një amerikan, ne do të përgjigjemi”, tha Biden.
(REL)