SHBA-ja dhe Kina pajtohen t’i rikthejnë komunikimet mes ushtrive

Uashington, 16 nëntor 2023 – Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë pajtuar që t’i rikthejnë komunikimet mes ushtrive, në përpjekje për t’i ulur tensionet, ka thënë presidenti amerikan Joe Biden.

“Ne po u rikthehemi komunikimeve direkte, të hapura, të qarta”, ka thënë ai, pas një takimi të rrallë që ka zhvilluar me presidentin e Kinës, Xi Jinping në Kaliforni, të mërkurën.

Kjo është hera e parë që palët kanë biseduar, pas më shumë se një viti.

Biden ka thënë se dy liderët janë pajtuar edhe për ta krijuar një linjë direkte komunikimi me njëri-tjetrin.

Në një konferencë për media, pas samitit, Biden ka thënë se mungesa e komunikimit ka treguar “si ndodhin aksidentet” dhe ka shtuar se dy presidentët tani “do të mund të kapin telefonin dhe të dëgjohen menjëherë”.

Kina i ka ndërprerë komunikimet ushtri-ushtri, vitin e kaluar, pasi Nancy Pelosi, atëbotë udhëheqëse e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e ka vizituar Tajvanin.

Pekini e konsideron Tajvanin si territorin e vet dhe ka kërcënuar me aneksim të tij me forcë, nëse është e nevojshme.

Biden ka thënë se ndonëse ende ekzistojnë mospajtime mes palëve, Xi ka qenë “i drejtpërdrejtë”.

Sipas tij bisedimet kanë qenë “ndër më konstruktivet dhe më produktivet ndonjëherë”.

Përveç rikthimit të komunikimeve ushtarake, dy palët kanë thënë se janë arritur marrëveshje në shumë fusha tjera, të cilat kanë qenë burim tensioni së fundi.

Aty është përfshirë marrja e hapave për ta luftuar rrjedhjen e fentanilit në Shtetet e Bashkuara, i cili ka kontribuuar në rritje të numrit të mbidozave në këtë shtet.

Kompanitë prodhuese kineze nuk janë vetëm burim i opiodieve sintetike, por edhe të kemikateve që mund të kombinohen për ta prodhuar atë substancë.

(REL)