Prishtinë, 24 gusht 2023 – Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Kosova e kanë nënshkruar të enjten një marrëveshje për ruajtjen dhe shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara.
Me këtë marrëveshje, e cila u nënshkrua nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dy shtetet marrin përsipër detyrime “për mbrojtën e informavioneve të klasifikuara të njëra tjetrës, duke hapur derën për shkëmbim të këtyre informacioneve”.
Kurti e cilësoi këtë marrëveshje si hap shumë të rëndësishëm për sigurinë kombëtare të të dy shteteve.
“Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevojë. Ajo përkthehet në vullnetin dhe obligimin e Qeverisë të merr vendime me të cilat garantohet pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti, detyra shtetëror këto të cilat jo rrallë kërkojnë edhe ruajtjen e informacionit si konfidencial. Mbrojtja e atillë e informacionit parashihet me ligj dhe siguron mbrojtje përderisa interesi kombëtar e dikton një gjë të tillë. Prandaj sot, së bashku me shkëlqesinë e tij, ambasadorin Hovenier, u dakorduam që informacioni i kategorizuar si i tillë do të ruhet ashtu siç e parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do zbulohet përveç ndaj atyre që posedojnë çertifikatë të sigurisë, pa marrë parasysh pozitën apo titullin që personi i interesuar në informacion të klasifikuar gëzon. Marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes tij në raport me palët e autorizuara”, tha Kurti.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, e cilësoi si arritje historike nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
“Ne po bëjmë një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, pasi kryeministri Kurti dhe unë po e nënshkruajmë Marrëveshjen SHBA-Kosovë për Masat e Sigurisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar. Kjo marrëveshje krijon bazën për shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara. Në botën e ndërvarur të shekullit të 21-të, aftësia e partnerëve për të shkëmbyer shpejt dhe pa probleme informacionet është jetike për informimin dhe vendimmarrje me kohë”, tha ai.
Ambasadori Hovenier theksoi se kjo marrëveshje “shpreh përkushtimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara për bashkëpunim të vazhdueshëm me Kosovën në fushë të sigurisë”.
“Marrëveshja ngrit aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, përmes shkëmbimit të informacionit me Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë ndaj sovranitetit të Kosovës”, theksoi ai.
“Kjo marrëveshje gjithashtu promovon qëllimin tonë të përbashkët për të zhvilluar me sukses Forcën e Sigurisë së Kosovës në një forcë mbrojtëse territoriale, multietnike, operative si ato të NATO-s. Ajo ka ndikim të drejtpërdrejt në synimin tonë të përbashkët për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat euro-atlantike të sigurisë”, theksoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Pleased to sign the U.S.-Kosovo Agreement concerning Security Measures for the Protection of Classified Information. This agreement, long in the making, opens the door to further information sharing between our governments. Read more: https://t.co/RvGYzrK6tv pic.twitter.com/FKE7QDMPXm
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) August 24, 2023
Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes SHBA-Kosovë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.
(r.m.)