Stamboll, 10 prill 2025 – Delegacionet nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë takuar në Stamboll më 10 prill, për bisedime lidhur me rikthimin e funksionimit të ambasadave të tyre.
Ambasadat përkatëse të të dyja shteteve reduktuan stafin, pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.
Bisedimet, të dytat e këtij lloji, u mbajtën pasi presidenti amerikan, Donald Trump, pasi mori detyrën në janar kërkoi përmirësimin e raporteve me Rusinë dhe njëkohësisht përfundimin e luftës në Ukrainë.
Uashingtoni ka rinovuar shqetësimet ndaj Rusisë mbi rregullat që ndalojnë stafin vendas të punojë në ambasadën e tij në Moskë, rregulla që Rusia i miratuar më 2021.
Në një deklaratë pas bisedimeve, Departamenti amerikan i Shtetit tha se delegacionet avancuan drejt formalizimit të një marrëveshjeje për qasjen në banka për diplomatët e të dyja shteteve, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së ndaj Rusisë.
Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë bërë deklarata miqësore për njëri-tjetrin, por së fundi udhëheqësi amerikan ka shprehur zemërim me Kremlinin për shkak të përparimit të vogël të bërë në përpjekjet e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ambasadori rus në SHBA, Alexander Darchiev, që mori pjesë në bisedime, tha për mediat shtetërore ruse se bisedimet u mbajtën “në një atmosferë pozitive”.
Ai deklaroi se palët janë pajtuar në “lehtësimin” e rregullave sa i përket lëvizjes së diplomatëve dhe lëshimit të vizave për të dërguarit e shteteve përkatëse.
“Pala ruse theksoi se prioritet është kthimi i shpejtë i pronës së patundshme diplomatike të konfiskuar nga autoritetet amerikane, prona që i përkasin Federatës Ruse”, tha ai, sipas agjencisë TASS.
Ai po ashtu citohet të ketë thënë se delegacioni rus ka kërkuar rinisjen e fluturimeve mes Moskës dhe Uashingtonit.
Paraprakisht, Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se bisedimet do të përqendroheshin vetëm në raportet dypalëshe SHBA-Rusi dhe në Stamboll nuk do të diskutohet për luftën në Ukrainë.
“Nuk ka asnjë çështje politike apo të sigurisë në agjendë, Ukraina nuk është në agjendë”, tha të martën zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce.
Që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, zyrtarët amerikanë dhe rusë janë përfshirë në bisedime për një sërë çështjesh, që nga negociatat mbi një armëpushim në Ukrainë, e deri te rikthimi i lidhjeve ekonomike dhe diplomatike.
Që nga nisja e luftës në Ukrainë, misionet diplomatike të të dyja shteteve operojnë me një numër të vogël të stafit për shkak të dëbimeve të diplomatëve.