SHBA-ja e shqetësuar për plagosjen e qytetarit serb në veri të Kosovës

Prishtinë, 11 prill 2023 – Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka reaguar për plagosjen e një qytetari serb, në incidentin me armë që ka ndodhur të hënën në mbrëmje, në Zveçan, në pjesën veriore të Kosovës, ku ishte përfshirë edhe një zyrtar i Policisë së Kosovës.

Ambasadori Hovenier ka shprehur shqetësimin për incidentin dhe ka bërë thirrje për një hetim të plotë e kredibil të rastit.  Ai ka theksuar se të gjithë qytetarët “duhet të kenë besim në transparencën e forcave të zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë”.

“SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të bëjnë një hetim të plotë, e kredibil. Ne jemi shumë të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë pa kujdes. Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e forcave të zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë. Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Policia e Kosovës fillimisht e kishte mohuar përfshirjen e ndonjë pjesëtari të saj në incidentin me të shtëna armësh në Zveçan, të hënën në mbrëmje. Por, më pas njoftoi se nga hetimet e zhvilluara në vendin e ngjarjes është konstatuar se një zyrtar policor mund të jetë përfshirë.

Katër zyrtarë policorë janë suspenduar lidhur me këtë incident.

Incidenti ka nxitur reagime të ashpra të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, dhe autoriteteve më të larta shtetërore në Serbi.

(r.m.)