Uashington, 21 dhjetor 2022 – Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, njoftoi më 21 dhjetor se do t’i japë ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej 1.85 miliard dollarë.
Në këtë paketë të ndihmës përfshihen edhe raketat Patriot.
Njoftimi vjen disa orë para se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të arrijë në Uashington, në vizitën e tij të parë në SHBA që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit të tij më 24 shkurt.
Në paketë përfshihen armë dhe pajisje nga stoqet e Pentagonit, në vlerë prej 1 miliard dollarë, përfshirë edhe raketat Patriot. Po ashtu, 850 milionë të kësaj pakete të ndihmës do të merren nga Nisma për Ndihmë të Sigurisë së Ukrainës.
Ndihma e re po ashtu përfshin financim për sisteme të komunikimit satelitor, që me gjasë do të përfshijë rrjetin e sistemit satelitor të SpaceX Starlink, që është në pronësi të Elon Musk.
“Përderisa Rusia vazhdon sulmet brutale ndaj infrastrukturës kritike të Ukrainës, SHBA-ja mirëpret presidentin Volodymyr Zelensky në Uashington sot, për të dëshmuar përkushtimin tonë të palëkundur për popullin ukrainas”, tha përmes një deklarate sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Ai tha se SHBA-ja do të ofrojë “kapacitete shtesë ushtarake për të ndihmuar Ukrainën që të mbrojë veten nga sulmi i paprovokuar dhe brutal i Rusisë”.
Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë kërkuar nga liderët perëndimorë që t’i ofrojnë Ukrainës armë më të avancuara, përfshirë Patriot, në mënyrë që të luftojnë kundër Rusisë.
Patriot është sistemi raketor tokë-ajër që Perëndimi deri më tash i ka ofruar Ukrainës.
(REL)