Uashington, 5 prill 2023 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zbuluar detaje të ndihmës së re ushtarake prej 2.6 miliardë dollarësh për Ukrainën – për të ndihmuar vendin në luftën kundër forcave ruse.
Paketa përfshin shumëllojshmëri municionesh nga rezervat e Pentagonit, të destinuara për të mbërritur shpejt në fushëbetejë.
Gjithashtu, në paketë përfshihen sisteme raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë, HIMARS, dhe raketa kundërajrore Patriot – për të ndihmuar në pengimin e goditjeve ajrore ruse të infrastrukturës së Ukrainës.
Sipas Pentagonit, në paketë do të ketë edhe armë të vogla dhe mjete transporti të pajisjeve të rënda, si dhe municione shtesë për sistemet e mbrojtjes ajrore NASAMS.
“SHBA-ja do të vazhdojë t’i ofrojnë Ukrainës ndihmë ushtarake për t’i përmbushur nevojat e saj të menjëhershme në fushëbetejë”, thuhet në deklaratën e Pentagonit.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, komentoi paketën para takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në selinë e NATO-s në Bruksel.
“Ne vlerësojmë shumëgjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë, në mënyrë specifike në muajin e fundit, për të ndihmuar ushtrinë tonë të përgatitet për kundërsulm”, tha ai.
Ambasada ruse në Uashington reagoi ndaj këtij njoftimi dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara se duan ta zvarrisin konfliktin.
“Vendimi për furnizimin e Kievit me armë është një hap drejt përshkallëzimit të krizës ukrainase dhe rritjes së numrit të viktimave civile”, citon agjencia TASS një deklaratë e ambasadës.
Armët dhe financimi i ri po bëhen në kohën kur trupat ukrainase përgatiten për një ofensivë pranverore kundër forcave ruse, të cilat vazhdojnë ta bombardojnë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë.
(REL)