Nju Jork, 30 tetor 2024 – Ambasadori amerikan në OKB, Robert Wood, e kritikoi Serbinë se nuk ka bërë mjaftueshëm që përgjegjësit e sulmit në Banjskë të përballen me drejtësinë.
“Ka kaluar më shumë që nga sulmi paramilitar serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe Serbia nuk ka bërë asnjë përparim të dukshëm për të mbajtur përgjegjës, përfshirë liderin e vetëshpallur të këtij sulmi Millan Radoiçiq. Ne kërkojmë përgjegjësi të plotë”, tha ai në në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku uë diskutua për raportin gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për misionin e OKB-së në Kosovë.
Ambasadori Wood tha po ashtu tha se SHBA-ja është e shqetësuar me veprimet e #pakoordinuar të Qeverisë së Kosovës, që nuk përkojnë me zotimet e Kosovës që të punojë në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja”.
“Këto veprime prekin mirëqenien e komuniteteve joshumicë dhe minojnë rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
Duke folur për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se është e vetmja rrugë për anëtarësimin e palëve në institucionet evropiane.
Ambasadori Wood tha se SHBA-ja po punon me aleatët për uljen e tensioneve dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, përfshirë atë për Asociacionin.
“Qëllimi i SHBA-së mbetet njohja e ndërsjellë”, tha ai.
Edhe ambasadorët e Francës dhe të Mbretërisë së Bashkuar kërkuan që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë. Këto dy shtete, po ashtu, kërkuan përparim në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit.
Ndërkaq, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, kritkoi Kosovën për shkeljen e të drejtave të serbëve dhe, siç tha ai, dhunë ndaj serbëve.
“Tensionet ndëretnike në Kosovë janë më të lartat në 50 vjetët e fundit”, pretendoi Nebenzya, duke shtuar se Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti “do të vazhdojë shtypjen e serbëve” nëse komuniteti ndërkombëtar “nuk e pengon”.
Ai, gjithashtu, kërkoi që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
(Radio Evropa e Lirë)