Uashington, 8 shtator 2022 – Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar edhe për 2.6 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe shtetet e tjera, me qëllim që të rritet siguria në mbarë Evropën pas pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha më 8 shtator se Shtëpia e Bardhë do të përdorë 2 miliardë dollarë nga Programi për financimin e jashtëm ushtarak për të rritur sigurinë e Ukrainës dhe të 18 fqinjëve të saj – përfshirë edhe disa shtete të NATO-s – dhe të partnerëve rajonalë të sigurisë, “që janë më së shumti në rrezik nga agresioni rus në të ardhmen”.
Njoftimi erdhi disa orë pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se administrata e presidentit Joe Biden, ka miratuar edhe dërgimin e armëve në vlerë prej 675 milionë dollarë. Ai tha se Uashingtoni dëshiron që Ukraina të ketë sukses në fushëbetejë kundër forcave ruse të cilat e nisën pushtimin në fund të shkurtit.
“Kjo është tërheqja e 20-të e armatimeve nga stoqet amerikane që i janë dhënë Ukrainës që nga gushti i kaluar”, tha Austin gjatë një takimi në bazën Ramstein në Gjermani. Ai shtoi se pakoja e ndihmës do të përfshijë obusë 105 milimetrash, raketa precize GMLRS dhe municion të artilerisë.
Përfshirë edhe pakon e fundit të 8 shtatorit, ndihma totale që administrata Biden ka dhënë për Ukrainën ka arritur në vlerën e 15.2 miliardë dollarëve.
Luftimet janë intensifikuar javëve të fundit, teksa Ukraina ka nisur një kundërofensivë për të rimarrë kontrollin e disa zonave që u morën nga trupat ruse në fillim të luftës.
(REL)