Uashington, 8 gusht 2024 – Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Matthew Miller, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara me vendimet e pa bashkërenduara të qeverisë së Kosovës dhe i bëri thirrje asaj t’i rikthehet bashkëpunimit me aleatët kryesorë perëndimorë.
Ai i bëri këto komente gjatë konferencës së përditshme për shtypin, i pyetur rreth veprimeve të mundshme ndaj qeverisë së Kosovës pas mbylljes së degëve të Postës së Serbisë në veriun e banuar me shumicë serbe, që nxiti reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
“Jemi të shqetësuar nga vendimet e vazhdueshme të pa bashkërenduara të udhëheqjes së Kosovës. Besojmë se ata kanë vënë në rrezik mundësitë, të cilat ne e kemi ndihmuar Kosovës t’i krijojë. Nëse shikoni zhvillimet që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara fuqishëm kanë mbështetur integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e shumetnike. Por, që të përmbushet ky synim, ne kemi bashkëpunuar vazhdimisht me udhëheqësit politikë të Kosovës në veprimet që kanë forcuar paqen e përparimin në vend dhe cojnë përpara Kosovën në rrugën euroatlantike. Ajo për të cilën e inkurajojmë qeverinë e Kosovës të bëjë është që t’i rikthehet bashkëpunimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtar të saj. E kemi bërë këtë të qartë këtë publikisht por edhe privatisht”, tha zëdhënësi Miller.
Të hënën qeveria e Shteteve të Bashkuara u shpreh “thellësisht e zhgënjyer” me ato që ajo i quaji “veprime të njëanshme dhe të pa bashkërenduara të qeverisë së Kosovës”, për mbylljen e degëve të Postës Serbe në veri të Kosovës, për të cilat autoritetet në Prishtinë thanë se vepronin pa licencë.
Bashkimi Evropian tha se pret nga qeveria e Kosovës ta rishqyrtojë dhe ta trajtojë çështjen e mbylljes së degëve të Postës së Serbisë në kuadër të bisedimeve në Bruksel.
Reagimet ishin të fundit në vazhdën e kritikave që evropianët dhe Shtetet e Bashkuara u drejtuan autoriteteve në Kosovë për veprimet në veriun e vendit.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ua paraqiti diplomatëve perëndimorë në Prishtinë një plan për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare. Qeveria tha se “liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian”.
Por, synimi për hapjen e urës që çoi edhe në protesta të qytetarëve serbë në veri, nuk u mbështet nga diplomatët, ndërsa forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja paralajmëruan se “do të trajtojnë çdo zhvillim që ndikon mbi sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale”.
(Zëri i Amerikës)