SHBA: Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese

Nju Jork, 8 shkurt 2024 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, nga seanca për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuaara në Nju Jork, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t’i kthehen dialogut.

“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese dhe u bëjmë thirrje të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqishëm”.

Ajo tha se Uashingtoni është i përkushtuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Është qëllimi që ne dhe partnerët tanë kemi vendosur për të nxitur demokracinë, integrimin ekonomik rajonal, shoqërinë multientike dhe sundimin e ligjit”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.

Ambasadorja amerikane në OKB tha se ky institucion nuk duhet të jetë kanali për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të jem e qartë, është dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe jo Këshilli i Sigurimit që duhet të jetë kanal për të zgjidhur çështjet që lidhen me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”., tha ajo.

Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield tha se SHBA-ja i ka shprehur shqetësimet lidhur me rregulloren e BQK-së që e pamundëson përdorimin e dinarëve të Serbisë në operacionet me para të gatshme në Kosovë. Ajo përsëriti kërkesën për pezullim të përkohshëm të zbatimit të rregullores.

“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.

Ambasadorja amerikane shprehu shqetësim edhe për “veprimet e pakordinuara” të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në Kosovë dhe të zyrës së një organizate joqeveritare serbe në Prishtinë.

“Këto veprime nuk janë në përputhje me zotimet e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të adresuar çështjet që prekin mirëqenien e komunitetit serb dhe minojnë rrugën drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo.

Ambasadorja Greenfield foli edhe për çështjen e sigurisë në Kosovë dhe për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës. Ajo tha se “kërcënimet akute të sigurisë dhe stabilitetit vijnë jashtë Kosovës” dhe theksoi se personi që e ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

“Katër muaj kanë kaluar që nga sulmi dhe Serbia ende nuk ka mbajtur përgjegjës të përfshirët në planifikimin dhe ekzekutimin [e sulmit në Banjskë]. Lideri i vetëshpallur i sulmit është i lirë në Serbi”, tha ajo.

Ambasadorja Thomas-Greenfieldu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë tëzbatojnë marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim të marrëdhënieve midis tyre, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit dhe Aneksi i zbatimit të saj janë ligjërisht të obligueshme”, theksoi ajo.

(r.m.)