Claire Bigg
Raportohet se shkencëtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se kanë arritur sukses në prodhimin e embrionit të hershëm njerëzor nëpërmjet klonimit, që paraqet kthesë madhore, e cila potencialisht mund të ndihmoj në trajtimin e një numri të sëmundjeve dhe plagosjeve, me qeliza burimore.
Por, studimi, që përdorë teknika të ngjashme me ato që e patën krijuar delen Dolly në Skoci, në vitin 1996, i ka shtuar shqetësimet etike.
Studimi, që së pari është publikuar më 15 Maj, në një gazetë mjekësore, është kryer nga Qendra Kërkimore Kombëtare në Oregon.
Shkencëtarët i kanë përdorë teknikat e ngjashme me ato që e prodhuan delen e klonuar Dolly, në vitin 1996, duke vendosur qeliza lëkurore të të rriturve në vezën njerëzore, së cilës paraprakisht i ishte larguar ADN-ja.
Deri tash shkencëtarët nuk kishin qenë në gjendje ta krijojnë embrionin e klonuar njerëzor, që është i zhvilluar në mënyrë të mjaftueshme, për të realizuar qeliza burimore.
Këto qeliza burimore, që mund të përdoren për ta krijuar secilën qelizë në trup, janë shumë premtuese për mjekësinë në tërësi.
Ato munden, eventualisht, të jenë të afta për t’i trajtuar disa sëmundje dhe t’i shërojnë plagët e shkaktuara nga lëndimet, ose për shembull, dëmtimet e shkaktuara nga sulmi në zemër.
Shoukhart Mitalipov, shkencëtar i lartë nga Qendra Kërkimore Kombëtare në Oregon, tha se kjo kthesë, eventualisht, mund të ndihmojë në sëmundjet degjenerative, siç janë Parkinsoni dhe Alchajmeri.
“Sëmundja e Parkinsonit shkaktohet nga mosfunksionimi i shumë pak tipave të qelizave. Kjo në themel është një tip i neuroneve, që nuk prodhojnë kemikalie të nevojshme dhe në shumë pacientë këto qeliza nuk ekzistojnë. Ato kanë vdekur dhe nuk ka tipa të tjerë të qelizave, që mund ta prodhojnë këtë kemikalie. Tash, në laboratorë ne mund të mësojmë se si t’i prodhojmë, për shembull, këto neurone, që e prodhojnë këtë kemikalie dhe ta transplantojmë atë në pacientët me këto sëmundje”, tha Mitalipov.
Po bëhen edhe shqyrtime për trajtimin e kushteve të ndryshme mjekësore me qeliza burimore nga embrionet e dhuruara.
Por këto qeliza të dhuruara, nuk e kanë përbërjen e njëjtë gjenetike me pacientët dhe deri tash janë refuzuar.
Shkencëtari Mitalipov, me kombësi ujgure, i lindur në Kazakistan, i cili tash jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara, thotë se klonimi terapeutik njerëzor do ta zgjidhë këtë problem.
“Ne, në laboratorët tanë jemi të interesuar ta zhvillojmë një mënyrë të re të krijimit të qelizave burimore, por në këtë rast, këto qeliza do të jenë nga qelizat e lëkurës të nxjerra nga pacienti, në mënyrë që qelizat burimore, që ne i krijojmë, do të jenë kompatibile, nëse këto inde i transplantojmë prapa në trupin e pacientit”, thotë Mitalipov.
Por, kritikët thonë se eksperimentimi me embrionet njerëzore, edhe nëse ato janë krijuar në laboratorë, është joetike.
Përkundër pretendimeve të shkencëtarëve se embrionet e krijuara nga kjo teknikë e re, asnjëherë nuk do të bëhen qenie të zakonshme njerëzore, ka shqetësime se klonimi terapeutik do ta hapë rrugën për prodhimin e foshnjeve të gjalla.
Kritikët e teknikës së re thonë se burimet e tjera të qelizave burimore mund të jenë më të lira dhe më pak kundërthënëse.
Shkencëtarët tashmë janë të aftë për konvertimin e qelizave lëkurore në qeliza burimore, me përdorim të proteinave.
Megjithatë, ende është e paqartë nëse qelizat burimore të fituara në këtë mënyrë janë të përshtatshme për qëllime mjekësore. ( f. bujupi-rel)