Në Shtetet e Bashkuara sot është Dita e të Rënëve, një ditë pushimi në të cilën vendi përkujton të rënët në luftra. President Barack Obama vendosi një kurorë në varrin e ushtarit të panjohur në varrezat Kombëtare të Arlingtonit pranë Uashingtonit.
Ai foli për disa pjestarë të forcave të armatosura që janë vrarë kohët e fundit në operacionet ushtarake jashtë vendit dhe janë varrosur në Arlington ku ndodhet varreza më e madhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara. Presidenti Obama tha se ndërkohë që vendi nderon këta të rënë, ai kujdeset edhe për familjet e tyre. P
Presidenti Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle dhanë sot një banket në Shtëpinë e Bardhë për familjarët e të rënëve. Kjo ditë po përkujtohet sot në të gjithë vendin me veprimtari të shumta. Në Nju Jork u zhvillua një ceremoni në përkujtim të grave pilote amerikane të Luftës së Dytë Botërore.
Dje, mijëra njerëz me xhaketa lëkure përshkuan me motocikleta rrugët e Uashingtonit për të nderuar veteranët amerikanë të luftës. Ky është një aktivitet i përvitshëm që quhet “Rolling Thunder” në kuptimin e gjëmimit që shkakton zhurma e motocikletave në rrugë.
Si pjesë e veprimtarive me rastin e Ditës Përkujtimore, shumë njerëz vijnë në Uashington me motocikleta nga e gjithë Amerika. Ata kalojnë urën e Memorialit dhe drejtohen për në Përmendoren e Veteranëve të Vietnamit.
Rituali i motocikletave vazhdon çdo vit që nga viti 1988, me synimin për të shprehur respektin ndaj të rënëve dhe për të përkujtuar robërit e luftës ose ata fati i të cilëve nuk dihet.
“Kjo është një mënyrë me të cilën unë shpreh vlerësimin dhe dashurinë për vendin tim, për shokët e mi që shërbejnë në ushtri. Edhe im bir është në ushtri pra unë vij këtu edhe për të nderuar tim bir”, thotë Barnie Ferguson nga Virginia.
Rituali i motocikletave u fillua nga një grup marinsash, që dëshironin të tërhiqnin vemendjen e njerëzve për veteranët e zhdukur në Vietnam.
Meqenëse motocikletat bëjnë një zhurmë shurdhuese kur kalojnë njëherësh nëpër rrugë, ky ritual e merr emrin nga Operacioni i quajtur Rolling Thunder, një fushatë bombardimesh ajrore kundër Vietnamit të Veriut në vitin 1965. (VOA)