SHBA: “Kundërshtojmë kategorikisht çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”

Prishtinë, 5 janar 2023 – “Të jemi të qartë: Pavarësia e Kosovës është fakt. Qëllimi ynë parësor është të mbështesim Kosovën pasi ajo zë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ne kundërshtojmë kategorikisht çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”.

Kështu shprehet Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në një postim në Twitter.

Ky reagim vjen pas një lajmi se llogaria e Ambasadës amerikane në këtë rrjet social e kishte “pëlqyer” një postim të një medie serbe që fliste për pretendimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga nëntë shtete.

“Llogaria zyrtare në Twitter e Ambasadës amerikane nuk e ka ‘pëlqyer’ qëllimshëm asnjë postim në Twitter në 24 orët e fundit. Siç e kemi thënë edhe më herët, kur ne duam të artikulojmë një qëndrim, ne e bëjmë përmes kanaleve zyrtare, deklaratave, e jo përmes ‘pëlqimeve’ në rrjetet sociale”, thuhet në sqarimin e ambasadës.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se e kundërshton në mënyrë kategorike “çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të mërkurën se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovë dhe është duke pritur që këtë ta bëjë edhe një shtet tjetër.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të cilin e mbështet edhe SHBA-ja. Dialogu ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Por, palët kanë qëndrime të kundërta sa i përket marrëveshjes përfundare. Kosova kërkon që marrëveshja përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërsa Serbia kërkon një zgjidhje “kompromisi’, pa sqaruar se çfarë kompromisi synon.

(r.m.)