Uashington, 24 shkurt 2023 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëritën se e mbështesin fuqishëm propozimin e Bashkimit Evropia për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Departamenti i Shtetit u bëri thirrje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të jenë kontruktivë në takimin që do të zhvllojnë të hënën në Bruksel.
“Ne presim që dy udhëheqësit t’i qasen takimit me frymë konstruktive të nevojshme për të ecur përpara”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.
Departamenti i Shtetit thekson se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila, siç thuhet, “në fund të fundit, duhet të synojë njohjen reciproke”.
“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në fund të fundit, duhet të synojë njohjen reciproke. Progresi në dialog do t’i hapë rrugë integrimit evropian dhe është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë se në parim e pranojnë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Departamenti i Shtetit e ka vlerësuar këtë si hap inkurajues.
“Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kanë theksuar rëndësinë e propozimit evropian për përmirësim të shpejtë të marrëdhënieve (Kosovë – Serbi) në mënyrë që të evitohet rreziku i eskalimit tësituatës”, theksoi Departamenti.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dalogun Koosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kurti e Vuçiqi, në takimin e tyre në Bruksel, duhet të deklarohen zyrtarisht se e pranojnë propozimin e Bashkimit Evropian dhe të diskutojnë për afatet e zbatimit në praktikë të marrëveshjes.
(r.m.)