SHBA: Më në fund, aplikantët për viza emigruese nuk ka nevojë të vaksinohen kundër COVID-19

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Më në fund, një lajm i mirë për ata që aplikojnë për vizë! Departamenti Amerikan i Shtetit (DOS) njoftoi se, duke filluar nga 11 marsi 2025, CDC-ja do të heqë nga udhëzimet teknike, për mjekët e akredituar të emigracionit, kërkesën që aplikantët për vizë emigruese të vaksinohen kundër COVID-19-s. Ambasadat dhe konsullatat e SHBA-së nuk do t’ua refuzojnë aplikimin për vizë emigruese dikujt që nuk arrin të paraqesë dëshminë e vaksinimit kundër virusit COVID-19. Mjekët në fjalë nuk do ta konsiderojnë më të papërshtatshëm për udhëtim një aplikant për vizë emigruese që nuk ka dëshminë e vaksinimit kundër COVID-19. Aplikantët, të cilëve nuk u kanë skaduar dokumentat e kontrollit mjekësor pra i kanë ende të vlefshme për udhëtim në Shtetet e Bashkuara dhe të cilat zyrtari konsullor më parë i kishte gjetur të papërshtatshme për shkak se mungonte dëshmia e vaksinimit kundër COVID-19-s, mund të marrin pa qenë nevoja të paguajnë, një dëshmi të re të kontrollit mjekësor nga mjeku i emigracionit. Për ta kërkuar këtë, aplikantët duhet të kontaktojnë ambasadën ose konsullatën e SHBA-së pranë të cilës kanë paraqitur aplikimin e tyre për vizë emigruese.

Disponueshmëria e Vizave Amerikane

Ligjet Amerikane të Emigracionit (INA) përcaktojnë numrin e vizave emigruese që Departamenti i Shtetit (DOS) mund t’u japë çdo vit shtetasve të huaj që kërkojnë të bëhen banorë të përhershëm të ligjshëm (të marrin green card). Numri i vizave emigruese që vihen në dispozicion të anëtarëve të ngushtë të familjes të nënshtetasve amerikanë është i pakufizuar. Tek anëtarët e ngushtë të familjes futen:

Bashkëshortët e nënshtetasve amerikanë; Fëmijët (të pamartuar dhe nën 21 vjeç) të nënshtetasve amerikanë; Prindërit e nënshtetasve amerikanë që janë të paktën 21 vjeç; dhe, të vejat ose të vejët e nënshtetasve amerikanë nëse nënshtetasi/ja amerikan/e ka paraqitur një peticion përpara se të vdiste, ose nëse e gruaja e ve (apo burri i ve) paraqet një peticion brenda dy viteve nga vdekja e nënshtetasit.

Vizat emigruese për kategoritë preferenciale që kanë për bazë punësimin ose bashkimin familjar janë numerikisht të kufizuara, kështu që ato nuk janë gjithmonë në dispozicion menjëherë. Për më shumë informacion, ju lutemi shikoni faqen “Green Card Eligibility” të internetit të DOS-it në adresën:  https://travel.state.gov/content/travel/en/legal/visa-laë0/visa-bulletin/2025/visa-bulletin-for-april-2025.html

Në përgjithësi, çdo vit vihen në dispozicion 226,000 viza preferenciale që kanë për bazë bashkimin familjar, dhe 140,000 viza viza e preferenciale që kanë për bazë punësimin. (Këta kufij të përvitshëm të vizave mund të spostohen në rastet kur vizat emigruese të vëna në dispozicion nga viti i mëparshëm fiskal nuk janë përdorur plotësisht.) Të dyja kategoritë ndahen në disa nën-kategori, secila prej të cilave merr një përqindje të caktuar të numrit të përgjithshëm të vizave, siç përcaktohet me ligj. Gjithashtu, ka kufizime në përqindjen e vizave që vihen në dispozicion, bazuar në vendin nga vjen emigranti (zakonisht vendi i lindjes).

Kur kërkesa është më e lartë se oferta e vizave për një vit të caktuar, në çdo kategori ose vend të caktuar, atëherë krijohet një radhë për viza (një listë pritjeje ose raste të prapambetura). Për të shpërndarë vizat midis të gjitha kategorive preferenciale, DOS-i i shpërndan vizat sipas kategorisë preferenciale të emigrantit të ardhshëm, vendit nga vjen dhe datës së përparësisë. DOS-i përdor datën e përparësisë për të përcaktuar vendin që i takon një emigranti në radhën e pritjes për vizë. Vetëm kur data e përparësisë bëhet e disponueshme ose “aktuale”, emigrantët kanë mundësi të aplikojnë për ndreqje statusi nëse janë në SHBA. Po ashtu, në një situatë të ngjashme, nënshtetasit e huaj që gjenden jashtë SHBA-së, mund të aplikojnë gjithashtu për një vizë emigruese pranë DOS-it dhe të marrin statusin e rezidentit të përhershëm të ligjshëm, gjithnjë nëse përmbushin dhe të gjitha kriteret e tjera.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]