Uashington, 1 shkurt 2022 – Shtetet e Bashkuara kanë marrë një përgjigje me shkrim nga Rusia pasi Uashingtoni iu përgjigj me shkrim javën e kaluar kërkesave të Moskës lidhur me ngërçin e krijuar mbi Ukrainën. Lajmi u bë i ditur të hënën nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
“Mund të konfirmojmë se kemi marrë një përgjigje me shkrim nga Rusia. Do të ishte joproduktive ta diskutonim atë në publik. Do t’ia lëmë Rusisë të vendosë nëse do ta diskutojë përgjigjen e saj”, tha zëdhënësi.
“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj dialogut për të trajtuar këto çështje dhe do të vazhdojmë të konsultohemi ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, përfshirë Ukrainën”, shtoi më tej ai.
Përgjigjja vjen pas përplasjeve të ashpra mes dy palëve në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Rusia akuzoi Perëndimin të hënën për “rritje të tensioneve” mbi Ukrainën dhe tha se Shtetet e Bashkuara kishin sjellë “nazistët e pastër” në pushtet në Kiev, ndërsa Këshilli i Sigurimit të OKB-së zhvilloi një debat të stuhishëm dhe luftarak mbi grumbullimin e trupave të Moskës pranë fqinjit të saj jugor.
Ambasadorja amerikane në OKB Linda Thomas-Greenfield u kundërpërgjigj duke thënë se forca ushtarake në rritje e Rusisë prej më shumë se 100,000 trupash përgjatë kufijve të Ukrainës ishte “mobilizimi më i madh” në Evropë në dekada, duke shtuar se ka patur një rritje të sulmeve kibernetike dhe të dezinformimit nga ana e Rusisë.
“Ata po përpiqen, pa asnjë bazë faktike, të përshkruajnë Ukrainën dhe vendet perëndimore si agresorë për të sajuar një pretekst për sulm,” tha ajo.
Shkëmbimet e ashpra në Këshillin e Sigurimit erdhën pasi Moska humbi një përpjekje për të bllokuar takimin që gjë reflektoi hendekun midis dy fuqive bërthamore. Ishte seanca e parë e hapur ku të gjithë protagonistët e krizës në Ukrainë folën publikisht, edhe pse organi më i fuqishëm i OKB-së nuk ndërmori asnjë veprim.
(Zëri i Amerikës)