SHBA miraton shitjen e sistemeve “Patriot” Gjermanisë

Uashington, 17 gusht 2024 – SHBA kanë miratuar shitjen e 600 raketave të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’ Gjermanisë, njoftoi Pentagoni të enjten në mbrëmje.

Marrëveshja llogaritet se ka një kosto prej 5.000 miliardë dollarësh (4600 miliardë euro).

“Kjo shitje e propozuar do të mbështesë politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të SHBA duke rritur sigurinë e një aleati të NATO-s, që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë,” u shpreh në një deklaratë Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes e Pentagonit.

“Ajo do të mbështesë qëllimin e Gjermanisë për të përmirësuar mbrojtjen kombëtare dhe territoriale, si dhe ndërveprimin me forcat e SHBA dhe NATO-s.”

Departamenti i Shtetit ka miratuar shitjen e raketave Tip PAC-3 MSE, megjithëse marrëveshjen duhet të miratojë ende Kongresi.

Kontraktori kryesor është kompania amerikane e armëve “Lockheed Martin”, tha Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes.

Gjermania dikur gjatë Luftës së Ftohtë kishte deri në 36 sisteme të tilla, por ky numër ra në vitet në vijim.

Berlini ia dhuroi tri sisteme  Ukrainës pas sulmit rus të shkurtit 2022. Tani, forcat gjermane të mbrojtjes kanë vetëm nëntë sisteme “Patriot”.

Sipas planeve të reja të mbrojtjes së NATO-s, Gjermania duhet të katërfishojë mbrojtjen e saj ajrore në mënyrë që të mbrojë infrastrukturën dhe forcat e saj të armatosura në rast tensionesh serioze apo lufte, u mësua muajin e kaluar nga një burim sigurie. Në fillim të këtij viti, disa anëtarë të NATO-s njoftuan porosi për deri në 1000 sisteme “Patriot”.

Sisteme “Patriot” kanë edhe vende të tjera evropiane, si: Greqia, Holanda, Polonia, Rumania, Spanja dhe Suedia.

Sistemi i mbrojtjes ajrore “Patriot” mund të përdoret për të luftuar avionët dhe raketat e armikut në një distancë deri në 100 kilometra (60 milje) dhe në një lartësi prej 30 kilometrash (19 milje).

“Patriot” (Radari gjurmues i grupeve me faza për interceptimin në objektiv) është një nga sistemet më moderne të mbrojtjes ajrore në botë.

(DW)