SHBA mirëpret vendimin e Serbisë për stërvitje të përbashkëta ushtarake

Beograd, 7 prill 2023 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mirëpresin vendimin e Serbisë për të organizuar një stërvitje ushtarake me partnerët e saj globalë të paqes.

Ambasada e SHBA-së në Serbi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin ushtarak me Serbinë dhe e respektojnë shumë ushtrinë serbe dhe udhëheqjen e saj.

“Ne angazhohemi për një partneritet të fuqishëm dypalësh ushtarak dhe mbrojtës me Serbinë, të fokusuar në qëllimet tona të përbashkëta për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe globalisht”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.

Në pëgjigje thuhet gjithashtu se “puna e përbashkët ndërton lidhje miqësie dhe besimi që u mundësojnë të dyja palëve të kontribuojnë së bashku për paqen”.

“Ne jemi të lumtur që jemi pjesë e Ujkut të Platinit”, ka thënë kjo ambasadë.

Autoritetet në Serbi kanë bërë përjashtim nga moratoriumi për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj, për të zhvilluar stërvitjen “Ujku i Platinit 23”.

Bëhet fjalë për stërvitje taktike ndërkombëtare, në të cilën marrin pjesë edhe anëtarët e aleancës së NATO-s, përfshirë SHBA-në.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka njoftuar më 5 prill se në mesin e qershorit në jug të Serbisë do të mbahet stërvitja “Ujku i Platinit”, në të cilën do të marrin pjesë ushtritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Serbisë dhe dhjetë vendeve partnere.

Serbia vendosi një moratorium për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj, në shkurt të vitit 2022, disa ditë pasi Rusia filloi agresionin e saj kundër Ukrainës fqinje.

Asokohe, Beogradi zyrtar njoftoi se nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë, por edhe se Ushtria e Serbisë, duke pasur parasysh politikën e neutralitetit ushtarak, i pezullonte të gjitha stërvitjet ushtarake me partnerët e huaj, si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, deri në një vendim të ardhshëm.

(r.m.)