Uashington, 8 mars 2022 – Presidenti Joe Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë të gjitha importet e naftës dhe të energjisë nga Rusia, duke e quajtur këtë hap si “një goditje tjetër të fuqishme ndaj makinës së luftës së Putinit”.
Ky vendim që do të shkaktojë pasoja të tjera të rënda ndaj ekonomisë ruse, është kundërpërgjigje ndaj agresionit kundër Ukrainës.
Presidenti Biden e pranoi se ndalimi do të rrisë çmimin e karburantit në Shtetet e Bashkuara, por shtoi se kjo lëvizje ka mbështetje dypartiake në Kongres dhe se Shtetet e Bashkuara “nuk do të jenë pjesë e subvencionimit të Putinit”.
“Ne e morëm këtë vendim në konsultim të ngushtë me aleatët tanë dhe partnerët tanë në mbarë botën, veçanërisht në Evropë, sepse një përgjigje e bashkuar ndaj agresionit të Putinit ka qenë fokusi im kryesor, për t’i mbajtur NATO-n, BE-në dhe aleatët tanë plotësisht të bashkuar”, tha Biden.
Today, I’m announcing that the United States is targeting a main artery of Russia’s economy.
— President Biden (@POTUS) March 8, 2022
We are banning all imports of Russian oil and gas.
Bashkimi Evropian këtë javë pritet të angazhohet për reduktuar gradualisht mbështetjen tek Rusia për nevojat energjitike, por zëvendësimi i sasive që merren aktualisht nga Rusia pa dëmtuar ekonomitë e BE-së do të dojë një farë kohe. Gazi natyror nga Rusia plotëson një të tretën e nevojave në Evropë. SHBA nuk importon gaz natyror rus.
Presidenti Biden tha se e kupton që partnerët evropianë mund të mos jenë në gjendje ta ndërmarrin këtë veprim menjëherë, duke qenë se janë më të varur tek gazi rus, por ai premtoi se Shtetet e Bashkuara do të punojnë ngushtë me aleatët evropianë për një strategji për reduktimin e varësisë të tyre tek Rusia për nevojat e energjisë.
Vendimi i Shteteve të Bashkuara vjen pas thirrjeve të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy drejtuar zyrtarëve amerikanë dhe perëndimorë për të ndërprerë importet e naftës nga Rusia, të cilat nuk ishin përfshirë në sanksionet e deritanishme ndaj Rusisë.
Vazhdimi i eksporteve të energjisë do të thoshte se Rusia vazhdonte të merrte të ardhura, pavarësisht kufizimeve të rënda në sektorin e saj financiar.
(Zëri i amerikës)