Prishtinë, 24 mars 2022 – Sot, më 24 mars, u mbushën 23 vjet nga fillimi i ndërhyrjes ushtarake të NATO-s që i dha fund fushatës së egër të regjimit të Millosheviqit për pastrimin etnik të Kosovës.
Në këtë përvjetor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka postuar fjalën e zonjës Elisabeth Rosenstock-Siller, këshilltare politike në misionin e SHBA-së në OSBE, të mbajtur në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë.
Zonja Rosenstock-Siller ka thënë se përdorimi i forcës nga NATO ishte i domosdoshëm për të parandaluar katastrofën humanitare në Kosovë dhe për të ndaluar fushatën e egër të spastrimit etnik të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit. Ajo ka kujtuar se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara vlerësonte se veprimet e regjimit të Millosheviqit përbënin rrezik për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Zonja Rosenstock-Siller ka shprehur keqardhje për humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm, përfshirë ata që e kanë humbur jetën gjatë këtij operacioni ushtarak dhe ka kujtuar se Presidenti Joe Biden, gjatë vizitës së tij në Beograd, në vitin 2016, u kishte shprehur ngushëllime familjeve të të gjithë atyre që e kanë humbur jetën në konflitet e viteve ’90, përfshirë ato të atyre që kanë pësuar gjatë operacioneve të NATO-s.
Në pjesën e fundit të fjalës së saj, zonja Rosenstock-Siller ka folur për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka thënë se SHBA e mbështet dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duke theksuar se marrëveshja gjithëpërfshirëse duhet të bazohet në njohjen reciproke të dy vendeve.
Fjalae plotë e zonjës Elisabeth Rosenstock-Siller:
“Z. Kryesues,
Njëzet e tre vjet më parë, NATO nisi operacionin Forcat e Bashkuara për t’i dhënë fund dekadës së gjakderdhjeve në Ballkan. Kjo ndërhyrje erdhi vetëm pasi kishin shteruar të gjitha rrugët diplomatike për t’i dhënë fund fushatës brutale të spastrimeve etnike e cila ishte sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit.
Përdorimi i forcës nga NATO në këtë rast ishte i domosdoshëm dhe legjitim. Më lejoni t’i kujtoj këtij Këshilli se Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shprehur shqetësimet për kërcënimin që përbënin për pasqen dhe sigurinë ndërkombëtare situata e rëndë humanitare në Kosova dhe numri në rritje i refugjatëve. Sot kujtojmë qindra mijëra njerëz të pafajshëm të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të vrarë ose të zhdukur për shkak të nacionalizmit të dhunshëm të regjimit të Millosheviqit dhe të forcave të tij.
Është detyrë e qeverive së Serbisë dhe Kosovës që të sigurojnë që të gjitha viktimat dhe familjet e tyre të kenë akses të plotë në drejtësi dhe në informacionet për fatin e më të dashurve të tyre.
Shprehim keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm, përfshirë ata që e kanë humbur jetën gjatë këtij operacioni ushtarak. Kujtojmë dhe bashkëvuajmë me të gjitha familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre në konfliktet e viteve 1990. Presidenti Biden, gjatë vizitës në Beograd, në vitin 2016, personalisht u ka shprehur ngushëllime familjeve të atyre që e kanë humbur jetën në luftërat e viteve ’90, përfshirë ato që kanë qenë pasojë e fushatës ajrore të NATO-s. Dhe sot u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.
Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht të ardhmen demokratike, properuese dhe paqësore të Ballkanit Perëndimor. I inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të shtojnë përpjekjet që përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila duhet të përqendrohet në njohjen reciproke. Marrëveshja do të kërkojë fleksibilitet, kompromis dhe guxim politik nga të dyja palët. Është e qartë se status quo-ja i pengon Serbinë dhe Kosovën që të realizojnë objektivat e tyre.
Të nderojmë kujtimin për ata që i kemi humbur duke punuar së bashku për ndërtimin e një të ardhmje në paqe dhe prosperiteti për të gjithë në Ballkanin Perëndimor.
Faleminderit, z. Kryesues!
(Ramadan Muçolli)