SHBA: Në pjesën veriore të Kosovës nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve

Prishtinë, 7 dhjetor 2022 – Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se, aktualisht, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, më 18 dhjetor.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Kthimi kah dhuna dhe frikësimi, përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes dhe rrezikimin e jetëve, nuk është mënyrë e përshtatshme e protestë, kurrë dhe në asnjë rrethanë.

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara sepse për momentin nuk janë krijuar kushtet që zgjedhjet në veri të Kosovës të mbahen në fund të këtij muaji. Siguria dhe siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira që të jenë të përmbajtur”, ka shkruar ambasadori Hovenier në Twitter.

Ambasadori Hovenier i bëri këto komente një ditë pasi grupe të qytetarëve serbë në pjesën veriore të Kosovës e penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në zyrat e Komisionit pati edhe incidente me armë zjarri dhe me mjete shpërthyese.

Zgjedhjet në katër komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës (Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan) u shpallën pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale të lëshuara në Serbi.

(r.m.)