Uashington, 29 mars 2022 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk u besojnë deklaratave të Moskës se Rusia do të zvogëlojë intensitetin e operacioneve luftarake në Ukrainë. Prandaj, Uashingtoni i bën thirrje Ukrainës që të mos besojë në këto deklarata.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë te Rusia “shenja reale të seriozitetit” për arritjen e paqes, që kur ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Blinken i ka bërë këto komente pas bisedimeve mes Rusisë e Ukrainës në Stamboll, ku u tha se Rusia “do të zvogëlojë në mënyrë drastike” operacionet luftarake në Kiev dhe në Çernihiv, në mënyrë që të “rrisin besimin reciprok” në procesin e bisedimeve.
Turqia tha se në bisedimet e zhvilluara të martën në Stamboll është arritur përparimi më i madh në bisedimet e deritashme mes dy palëve. Mirëpo, Blinken ka thënë se ka dallim mes asaj që thotë dhe asaj që bën Rusia. Ai ka theksuar se SHBA-ja është e fokusuar në atë që bën Rusia.
Blinken ka thënë se Rusia duhet t’i japë fund agresionit dhe t’i tërheqë forcat e saj nga Ukraina.
Ndërkohë, një zyrtar amerikan ka thënë se disa forca ruse janë duke u larguar nga zona rreth kryeqytetit ukrainas, por ende nuk mjund të flitet për ndërprerje të operacioneve.
“Po, kemi pas disa tërheqje të rusëve nga Kievi”, ka thënë ky zyrtar për BBC-në, në kushte anonimiteti.
“Mirëpo ne kemi pak besim se në këtë fazë kjo do të rezultojë me diçka të madhe. Rusët janë ende duke sulmuar Kievin përmes ajrit. Koha do të tregojë”, ka shtuar ai.
(Sipas REL)