Uashington, 2 tetor 2023 – Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha të hënën se Uashingtoni nuk i ka vërtetuar njoftimet se Serbia i ka tërhequr trupat dhe pajisjet ushtarake nga kufiri me Kosovën, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten të shqetësuara me tensionet në veri të Kosovës.
“Kemi parë raportet se Serbia ka tërhequr personelin dhe pajisjet ushtarake larg kufirit. Ne ende nuk i kemi vërtetuar ato në mënyrë të pavarur dhe do të kërkojmë konfirmim të mëtejshëm. Por, nëse është e vërtetë, ky do të ishte një hap i mirëpritur, diçka që ne kërkuam të ndodhte javën e kaluar. Ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar për ciklin e rritjes së tensioneve dhe dhunës sporadike në veri të Kosovës dhe inkurajojmë të dyja palët që të kthehen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha zoti Miller në një konferencë me gazetarë.
Më herët të hënën, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, gjenerali Milan Mojsiloviç, tha se Serbia ka tërhequr një pjesë të trupave të vendosura pranë kufirit me Kosovën. Shtimi i trupave pasoi sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës kur një grup serbësh të armatosur qëlloi mbi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër. Përgjatë përleshjeve që pasuan, tre sulmues mbetën të vrarë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan si “një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën”, ndërsa i kërkuan Beogradit që urgjentisht të tërheqë trupat ushtarake.
Tërheqjen e kërkoi edhe qeveria e Kosovës e cila e akuzoi Beogradin për organizimin dhe mbështetje të grupit që sulmoi policinë. Beogradi i mohoi lidhjet me ngjarjet e 24 shtatorit të cilat i mori përsipër Milan Radoiçiç, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.
Përleshjet e 24 shtatorit nxitën shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë e rajonit dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës, që shpalli pavarësinë me mbështetjen e Perëndimit dhe Serbisë që kundërshton shtetësinë e saj më mbështetjen e Moskës.
(Zëri i Amerikës)