Uashington, 28 shtator 2023 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë përpjekjet që të barazohet vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, me vrasjen e pjesëtarëve të grupit terrorist që e sulmuan Policinë e Kosovës në pjesën veriore të Kosovës.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matheë Miller, ka thënë se SHBA-ja i dënon fuqishëm sulmet nda Policisë së Kosovës dhe angazhohet që përgjegjësit për këto sulme të nxirren para drejtësisë.
“Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës [Afrim] Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”, ka thënë ai.
Miller i ka bërë këto komente, duke u përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se si i cilëson SHBA-ja pjesëtarët e grupit të armatosur që e sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
Rreth 30 pjesëtarë të grupit të armatosur serb e sulmuan policinë e Kosovës në afërsi të fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Buanjaku. Pas sulmit, sulmuesit u barrikaduan në Manastorin e Banjskës dhe ndërtesat përreth, prej nga shkëmbyen zjarr me policinë e Kosovës që i vuri në rrethim. Tre sulmues mbetën të vrarë, ndërsa të tjerët arritën të ikin drejt Serbisë. Pas përfundimit të operacionit, Policia e Kosovës gjeti dhe konfiskoi në vendin e ngjarjes një arsenal të madh armësh të kalibrave të ndryshëm, raketahedhësish, mortajash, bombash e mjetesh të ndryshme shpërthyese, autoblindash e automjeteve tjera të blinduara, si dhe aparatesh e pajisjesh të ndryshme ushtarake.
Beogradi mohoi se ka gisht në këtë sulm të armatosur, për me 27 shtatorshpalli ditë zie në Serbi për tre pjesëtarët e grupit që mbetën të vrarë në Banjskë.
Ky vendim u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi Peter Stano tha se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ai kurrë nuk mund t’i cilësojë “terroristë” pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmuan Policinë e Kosovës.
Policia e Kosovës ka zbuluar se në krye të grupit terrorist serb ishte nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, njeri i afërt i Vuçiqit.
Edhe Vuçiqi ka konfirmuar se Radoiçiq ka marrë pjesë në sulmet e grupit terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Më herët ai kishte deklaruar se pjesëtarët e grupit janë serbë të Kosovës “të rebeluar nga terrori i (kryeministrit të Kosovës, Albin) Kurtit.
(r.m.)