Uashington, 9 janar 2022 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të dielën se Shtetet e Bashkuara nuk presin ndonjë arritje në bisedimet e kësaj jave me Rusinë, të cilat janë të rëndësishme për të ardhmen e marrëdhënies mes dy vendeve. Bisedimet kanë në epiqendër Ukrainën, por prej tyre ndoshta varet edhe vetë stabiliteti në Evropë pas Luftës së Ftohtë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nuk pret të arrihet ndonjë arritje konkrete gjatë bisedimeve javën e ardhshme me Rusinë. Ai i tha emisionit “State of the Union” të kanalit CNN se progresi do të varet nga veprimet e të dyja palëve gjatë negociatave dhe se Uashingtoni shpreson se do të shmanget perspektiva e një pushtimi të ri të Ukrainës nga Rusia.
Më herët, një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Biden kishte thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë të hapura të diskutojnë kufizime të mundshme në dislokimet e trupave amerikane ose praninë e forcave amerikane në vendet e NATO-s në rajon. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që palët të diskutojnë kufizimin e stërvitjeve ushtarake dhe dislokimin e raketave në rajon.
Dallimet e thella në qëndrimet e dy vendeve nuk ngjallin shpresë për ndonjë zgjidhje të shpejtë për çështjen e Ukrainës apo tema të tjera me interes të ndërsjellë, ndërkohë që mosbesimi duket të jetë në nivelin më të lartë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.
Raundi i parë i bisedimeve duket se do të shërbejë më shumë për të prezantuar mosmarrëveshjet.
“Nuk mendoj se dikush di me saktësi se çfarë ka në mendje Presidenti Putin për Ukrainën. Mendoj se administrata Biden ka bërë më të mirën për të bashkuar aleatët në koordinimin e politikave, duke i dhënë sinjalin Rusisë se synon të vendosë sanksione shumë më të forta se më parë”, thotë John Tefft, Ish-ambasador amerikan në Rusi dhe Ukrainë.
Vendet aleate pranojnë se Ukraina dhe Gjeorgjia nuk janë ende gati për anëtarësim dhe ka pak gjasa që ato të mund të ftohen për t’iu bashkuar NATO-s së shpejti, por ata këmbëngulin se dyert e aleancës duhet të mbeten të hapura.
Analisti i pavarur politik rus Dmitry Oreshkin tha se për udhëheqësin rus Vladimir Putin, është e pamundur që Ukraina ose Gjeorgjia të mund të anëtarësohen në NATO.
“Putini nuk mund ta pranojë që Ukraina, apo Gjeorgjia, t’i bashkohen NATO-s. Mund ta ketë pranuar ndoshta për shtetet balltike, si një kauzë e humbur, pjesë e NATO-s etj., por ka vendosur të kundërshtojë deri në fund për Ukrainën. Dhe mënyra e vetme që të sigurojë një autoritet politik të dorës së fortë mbi çështjen e Ukrainës është duke krijuar tension në kufi”, thotë zoti Oreshkin.
Bisedimet e Gjenevës, që do të pasohen nga sesione të tjera në Bruksel dhe Vjenë, synojnë shmangien e një krize. Presidenti rus Vladimir Putin ka grumbulluar dhjetëra-mijëra trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, duke shkaktuar shqetësim për një ndërhyrje të mundshme ushtarake.
(Zëri i Amerikës)