SHBA po i trajton pretendimet se serbët që kryen sulmet në Kosovë janë stërvitur me automjete amerikane

Prishtinë, 3 tetor 2023 – Departamenti amerikan i Shtetit tha se autoritetet po i trajtojnë seriozisht pretendimet se grupi i terroristëve serbë që kreu sulmet në pjesën veriore të Kosovës më 24 shtator është stërvitur me automjete “Humvee” që SHBA-ja ia dhuroi Ushtrisë së Serbisë.

“Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht çdo pretendim që përfshin pajisjet e ofruara nga SHBA-ja kudo në botë. Ne jemi duke e shqyrtuar këtë çështje”, thuhet në përgjigjen me shkrim të DASH-it për grupin “Koha” në Prishtinë.

Pretendimet se automjetet me të cilat janë stërvitur pjesëtarët e grupit të armatosur serb para sulmeve në pjesën veriore të Kosovës i ngriti profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Westminster Univesity, Aidan Hehir, pas publikimit të videoregjistrimeve të stërvitjes së grupit në një qendër trajnimi të ushtrisë në Serbi.

Pas sulmeve të grupit të amatosur serb, Policia e Kosovës gjeti dhe konfiskoi sasi të mëdha armësh, municionesh dhe pajisjesh ushtarake në zonën rreth Manastirit të Banjskës. Autoritetet e Kosovës thanë se kjo sasi kaq e madhe e armatimit, dëshmon përfshirjen direkte të ushtrisë së Serbisë në përgatitjen dhe mbështetjen e sulmeve.

(r.m.)