SHBA ka deklaruar se do të kjetë në gjendje të identifikojë se cilat njësi ushtarake ruse kanë kryer masakrat në Buça të Ukrainës.
Identifikimi i atyre që kryen krime lufte “ka përparësi jashtëzakonisht të lartë, për momentin”, për komunitetin e inteligjencës amerikane, u ka thënë gazetarëve një zyrtar i lartë që është në dijeni të procesit.
SHBA do të përdorë të gjitha mjetet për të ndihmuar Ukrainën në gjetjen e individëve që kryen masakrat.
Ekzekutimet në Buça i civilëve ukrainas, me duar të lidhura, trupat e djegur, qytetarët e vrarë, në rrugë duke bërë punët e përditshme si vajtja në dyqane etj kanë tronditur opinionin ukrainas dhe atë botëror. Të vrarët u zbuluan pas braktisjes me nxitim të qytezës Buça nga ushtria ruse që po tërhiqet tërësisht nga veriu i Ukrainës dhe rrethinave të Kijivit pasi dështuan në marrjen e kryeqytetit.
Moska e ka mohuar masakrën duke thënë se ukrainasit i kanë inskenuar ato për të gënjyer botën. Mirëpo, SHBA ka ofruar pamje satelitore që tregojnë se trupat e vdekur ndodheshin aty kur ushtria ruse nuk ishte larguar ende nga Buça.
Tani vjen premtimi se jo vetëm që shërbimet e inteligjencës amerikane do të ofrojnë provat fotografike satelitore që dëshmojnë krimet e luftës, por do të identifikojë edhe kriminelët që një ditë të përballen me drejtësinë. (Ruben Avxhiu)