SHBA pritet të dërgojë trupa shtesë në Evropën Lindore

Uashington, 2 shkurt 2022 – Pentagoni pritet të konfirmojë të mërkurën vendimin e presidentit amerikan, Joe Biden për të dërguar trupa ushtarake shtesë në lindje të Evropës, ka thënë një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve, Reuters.

Biden ka marrë vendim që më shumë se 3,000 trupa amerikane të pozicionohen për të mbështetur aleatët evropianë, ka raportuar Wall Street Journal.

Rreth 2,000 trupa amerikane do të nisen nga Shtetet e Bashkuara në Poloni dhe Gjermani dhe rreth 1,000 do të barten nga Gjermania në Rumani, ka raportuar Wall Street Journal.

Pentagoni ka sugjeruar këtë javë se lëvizjet e trupave mund të kryen brenda Evropës.

Tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë janë rritur prej pozicionimit të mbi 100 mijë trupave ruse afër kufirit me Ukrainën.

Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar një kërkesë kyçe të Moskës që NATO-ja të mos pranojë Ukrainën – mirëpo kanë insistuar se po i ofrojnë Rusisë “një rrugë diplomatike serioze”.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka akuzuar Perëndimin se po injoron shqetësimet e Rusisë për çështje të sigurisë.

Në kërkesat e Moskës ndaj Perëndimit përfshihen edhe ato që:

  • Ukraina të mos pranohet në NATO
  • NATO-ja t’i japë fund aktivitetit ushtarak në Evropën Lindore dhe të tërheqë trupat nga Polonia dhe republikat baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania
  • Aleanca veriatlantike të mos pozicionojë raketa në shtetet afër apo në kufi me Rusinë

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë përgjigjur duke thënë se Ukraina ka të drejtë të zgjedhë aleatët e vet, mirëpo i kanë ofruar Rusisë mundësinë e negocimit rreth raketave dhe çështjeve tjera.

Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.

Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona.

(REL)