SHBA: Putini është i tërbuar nga dështimet, mund të forcojë sulmet ndaj Ukrainës

Uashington, 8mars 2022 – Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mund të forcojë sulmet ndaj Ukrainës, pavarësisht nga dështimet e ushtrisë së tij në Ukrainë dhe nga vështirësit ekonomike që shkaktojnë sanksionet ekonomike të Perëndimit.

“Analistët tanë vlerësojnë se ka pak gjasa që dështimet ta zbrapsin Putinin. Përkundrazi, mund ta nxisin për një përshkallëzim”, ka thënë Avril Haines, drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, në mbledhjen e Komitetit të Kongresit.

Ajo ka thënë se në situata kaq të tensionuara gjithmonë ka potencial për “përshkallëzim të paparashikueshëm”.

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, William Burns, e ka përforcuar vlerësimin se Putini mund të forcojë përpjekjet për pushtimin e plotë të Ukrainës.

“Mendoj se Putini tani është i tërbuar dhe i frustruar. Ka të ngjarë që ai të shtojë përpjekjet për thyerjen e rezistencës së ushtrisë ukrainase, pa marrë parasysh numrin e viktimave civile”, ka thënë Burns.

Burns ka thënë se analistët e CIA-s nuk shohin se si Rusia mund ta pushtojë Kievin, ta rrëzojë qeverinë e Volydymyr Zelenskyt dhe vendosë një qeveri kukull pro-ruse.

(r.m.)