SHBA: Qëllim përfundimtar i marrëveshjes Kosovë-Serbi është njohja reriproke

Uashington, 16 shkurt 2023 – Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i ka thënë të enjten Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ndryshuar pozicionin sa i përket njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilit synohet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me qëllim përfundimtar njohjen reciproke”, ka thënë zëdhënësi.

Çështja e njohjes është aktualizuar pas letrave të presidentit amerikan, Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dërguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë, më 15 shkurt. Në letra nuk është përmendur në mënyrë specifike njohja reciproke mes dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë duhet të përfshihet njohja.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa e ka komentuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia.

Sipas Radios Evropa e Lirë, në atë plan nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por përmenden respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe bashkëpunimi në procesin e integrimeve evropiane.

Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka filluar në vitin 2011. Prej atëherë janë nënshkruar 33 marrëveshje, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.

Aktualisht, dy vendet kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me marrëveshjen finale. Kosova insiston në njohje reciproke, kurse Serbia kërkon zgjidhje kompromisi, pa saktësuar se cili është kompromisi i synuar i saj.

(r.m.)