Zëri i Amerikës
Në Shtetet e Bashkuara, një grup senatorësh të njohur nga të dyja partitë politike shpallin sot një sërë reformash për sistemin e imigracionit, të cilat u japin mundësi njerëzve që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme, të marrin shtetësinë amerikane nëse plotësojnë disa kushte. Ndërkohë, presidenti Obama do ta trajtojë këtë çështje në një fjalim që do të mbajë nesër në Las Vegas.
Propozimi për reformat është hartuar në një dokument prej pesë faqesh, në fillim të të cilit thuhet se ligjvënësit janë të ndërgjegjshëm që sistemi amerikan i imigracionit nuk funksionon më. Dokumenti publikohet në prag të një fjalimi që Presidenti Obama mban nesër në Las Vegas, në të cilin ai do të bëjë thirrje për të reformuar sistemin e imigracionit.
Senatorë nga të dyja partitë kanë bërë thirrje të ngjashme. Sipas senatorit John McCain: “Nuk mund të vazhdojmë përjetësisht me 11 milion njerëz që jetojnë në këtë vend nën hijen e statusit të ligjshëm.”
Senatori demokrat Dick Durbin shprehet njëlloj: “Kemi ndoshta 25 vjet pa një deklaratë të qartë mbi politikën e imigracionit dhe kjo është e papranueshme.”
Presidenti Obama e kishte premtuar reformën e imigracionit që në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2008, por nuk arriti ta mbajë premtimin.
Propozimi i senatorëve nga të dyja partitë parashikon që imigrantët e paligjshëm të regjistrohen pranë autoriteteve, të kalojnë nëpër një kontroll biografik, të paguajnë gjoba dhe taksat e prapambetura dhe të plotësojnë disa hapa të tjera për të marrë një status të përkohshëm që do t’i lejonte ata të jetonin dhe punonin ligjërisht në Shtetet e Bashkuara.
Pastaj ata do të pranoheshin në fund të listës së personave që kërkojnë green card si banorë të përhershëm dhe të ligjshëm.
Plani bën përjashtim për ata që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara si fëmijë si dhe për punëtorët e bujqësisë, që sipas senatorëve, luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin ushqimor të vendit.
Njëkohësisht me këto parashikohet forcimi i masave të sigurisë në kufi, siç është shtimi i përdorimit të avionëve pa pilot.
Propozimi parashikon krijimin e një sistemi të efektshëm që punëdhënësit të mund të verifikojnë nëse punëtorët janë apo jo të ligjshëm, si dhe të një sistemi për të kontrolluar skadimin e vizave.