Nju Jork, 11 mars 2022 – Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të premten, më 11 mars se Rusia ka një histori të dokumentuar mirë të përdorimit të armëve kimike.
Thomas-Greenfield thotë se SHBA “ka shqetësime serioze se Rusia mund të planifikojë të përdorë agjentë kimikë ose biologjikë kundër popullit ukrainas”.
Ajo thotë gjithashtu se beson se Rusia mund të përdorë agjentë kimikë ose biologjikë “për atentate si pjesë e një incidenti të organizuar ose të rremë, ose për të mbështetur operacionet taktike ushtarake”.
Thomas-Greenfield tha se Ukraina nuk ka një program të armëve biologjike.
“Nuk ka laboratorë ukrainas të armëve biologjike të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. As afër kufirit të Rusisë apo askund”, tha Thomas-Greenfield.
Këto deklarata, ambasadorja amerikane i bëri duke folur në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbledhur me kërkesë të Rusisë.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya pohoi paraprakisht se forcat e Moskës kanë gjetur prova të një përpjekjeje për të pastruar provat e armëve biologjike në Ukrainë.
Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbledhur me kërkesë të Rusisë, Vasily Nebenzya pohoi se forcat ruse kishin gjetur prova të një rrjeti prej “të paktën 30” laboratorësh të kërkimit biologjik që synonin forcimin e disa “sëmundjeve vdekjeprurëse”.
Ai tha se “eksperimente biologjike shumë të rrezikshme” ishin kryer në këto vende në koordinim me SHBA.
Në raport me akuzat e Rusisë, shefja e OKB-së për çarmatim, Izumi Nakamitsu tha se Kombet e Bashkuara nuk janë në dijeni të ndonjë programi të armëve biologjike në Ukrainë.
Gjatë së premtes, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se në rast se Rusia përdorë armë kimike në Ukrainë, atëherë do të “paguaj një çmim të shtrenjtë”.
(REL)