SHBA sanksionon edhe 500 subjekte të lidhura me Rusinë, përfshirë 4 kompani dhe 2 individë nga Serbia

Uashington, 23 shkurt 2024 –Shtetet e Bashkuara të Amerikës sanksionuan sot më shumë se 500 individë dhe kompani për mbështetjen e drejtpërdrejtë ose të tërthortë luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Sanksionet synojnë që Putini të pagujë një çmim edhe më të lartë për agresionin e tij jashtë vendit dhe shtypjen brenda vendit”, tha Presidenti Joe Biden.

Departamenti amerikan i Thesarit vuri në shënjestër rreth 300 individë dhe subjekte, Departamenti amerikan i Shtetit goditi mbi 250, ndërsa Departamenti i Tregtisë shtoi mbi 90 kompani në listën e kompanive të sanksionuara.

Departamenti amerikan i Tregtisë njoftoi se, përveç kompanive ruse, në listën e të sanksionuarve janë përfshirë edhe kompani të vendeve të treta, përfshirë Kinën, Serbinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Lihtenshtajnin.

Si njofton Zëri i Amerikes, në këtë listë janë përfshirë edhe dy persona (Dragan Dragash e Marko Svorcan) dhe katër kompani nga Serbia (“Soha Info DOO Novi Banovci”, “Kominvex DOO Beograd”, “Goodforwarding DOO Beograd” dhe “Research and Development Company TR Industries”).

Dragan Dragash dhe Marko Svorcan janë sanksionuar sepse “kanë punuar ose punojnë në sektorin e ekonomisë së Rusisë, me qëllim të mbështetjes së bazës ushtarako-industriale ruse”.

Kompania “Soha Info DOO Novi Banovci”, drejtor dhe pronar i së cilës është Dragash, “ka eksportuar elektronikë të dyfishtë në Rusi në vlerë prej miliona dollarësh”.

Kompania “Kominvex DOO Beograd”, drejtor dhe pronar i së cilës është Svorcan, “ka eksportuar mallra dhe pajisje në vlerë prej dhjetëra milionë dollarësh në kompanitë ruse të elektronikës”.

Kompania “Goodforwarding DOO Beograd” “ka dërguar në Rusi qindra dërgesa, përfshirë mallra elektronike të nevojshme për prodhimin e raketave, dronëve dhe municioneve”.

Kompania “Research and Development Company TR Industries”, e cila thuhet se është e specializuar për zhvillimin e pajisjeve elektronike, sistemeve të radiolidhjeve, sistemeve optoelektronike të inteligjencës dhe sistemeve të navigimit,  ka dërguar në Rusi gjëra të tilla si: qarqe të integruara dhe kondensatorë shumështresorë qeramike, pranues kryesor i të cilave ishte kompania ruse ‘Aretx’, e cila ishte në listën e sanksioneve të SHBA-së”.

Radio Evropa e Lirë (REL) ka publikuar pak kohë më parë një hulumtim për veprimtarinë e pesë nga gjashtë subjektet e sanksionuara – tri kompanive dhe dy personave, Dragash dhe Svorcan.

Sipas hulumtimit të REL, “Kominvex” ka eksportuar në Rusi mallra me vlerë prej mbi 140 milionë dollarësh, prej fillimit të pushtimit të Ukrainës deri në gusht të vitit 2023.

“Një e treta e produkteve të eksportuara, pra mallrat me vlerë mbi 50 milionë dollarë, sipas markave doganore, ishin komponentë elektronikë që janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian, sepse mund të përdoren në industrinë ushtarake”, thuhej në hulumtimin e REL.

Kompania “Soha Info”, sipas këtij hulumtimi, “nga tetori 2022 deri në fund të korrikut 2023, ka eksportuar në Rusi mallra me vlerë prej 18 milionë dollarësh”.

Ndërkaq, kompania “Goodforwarding”, ka eksportuar në Rusi “mallra që mund të përdoren për sistemet ushtarake ruse në frontin e luftës në Ukrainë”.

(r.m.)