Uashington, 10 janar 2025 – Shtetet e Bashkuara përfshinë të premten Industrinë Naftës së Serbisë në paketën e sanksioneve ndaj prodhuesve kryesorë rusë të naftës, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas.
“Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione ndaj më shumë se 200 individëve dhe subjekteve të përfshirë në sektorin energjetik të Rusisë. Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet e disponueshme për të kufizuar më tej aftësinë e Rusisë për të gjeneruar të ardhura që financojnë luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës”, shkroi në platformën X zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
Zyrtarët amerikanë thanë se sanksionet, që shënjestrojnë entitetet që bëjnë biznes me rusët, kanë potencialin që t’i ofrojnë ekonomisë ruse miliarda dollarë në muaj.
“SHBA-ja po ndërmerr veprime gjithëpërfshirëse kundër burimit kryesor të të ardhurave të Rusisë për financimin e luftës së saj brutale dhe të paligjshme kundër Ukrainës”, tha përmes një deklarate sekretarja e Thesarit, Janet Yellen.
“Me veprimet e sotme, ne po rrisim rrezikun e sanksioneve të lidhura me tregtinë e naftës ruse, përfshirë transportin dhe lehtësimin financiar për të mbështetur eksportet e naftës ruse”, shtoi Yellen.
Industria e Naftës e Serbisë (NIS), shumica e aksioneve të së cilës u takojnë kompanive ruse Gazprom Neft dhe Gazprom, është furnizuesja e vetme e Serbisë me gaz dhe pronarja e të dy tubacioneve që transportojnë gaz nga Rusia për në Serbi.
Sanksioneve, të cilat i kishte paralajmëruar vetë Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, më 13 dhjetor të vitit që shkoi, u është bashkuara edhe Britania e Madhe.
Serbia e cila zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka marrëdhënie të ngushta me Rusinë. Ajo refuzon t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Presidenti serb tha se sanksionet janë “pjesë e trysnisë më të gjerë gjeopolitike ndaj Rusisë” dhe “një goditje e rëndë” ndaj Serbisë, e cila është duke negociuar një marrëveshje të re me Rusinë për furnizim me gaz, me që marrëveshja aktuale skadon në mars të këtij viti.
Vuçiq tha se SHBA kërkon “tërheqjen e plotë të kapitalit dhe interesave ruse” nga Industria Serbe e Naftës dhe transformimi i pronësisë duhet të përfundojë brenda 45 ditësh dhe të miratohet nga Shtetet e Bashkuara.
Kompanitë ruse zotërojnë rreth 56 për qind të aksioneve në Industrinë serbe të Naftës.
(r.m.)