Uashingtn, 3 tetor 2023 – Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, tha të martën se Serbia ka filluar t’i tërheqë forcat saj ushtarake nga zona në kufi me Kosovën.
“Që kur deklaruam publikisht se kishim parë forcat serbe përgjatë kufirit, i kemi parë se kanë filluar t’i tërheqin ato forca nga aty. Kjo është diçka pozitive, do të ndihmojë për të shtensionuar situatën. Nuk do t’i eliminojë tensionet, por do ta zbusë situatën,” u tha zoti Kirby gazetarëve në Uashington, transmeton Zëri i Amerikës.
Reagimi nga Uashingtoni për tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga zona përgjatë kufirit me Kosovën vjen disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin për një grumbullim të madh të ushtrisë së Serbisë në këtë zonë. Shtetet e Bashkuara e quajtën këtë grumbullim “të pashembullt” dhe i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë ato nga kufiri me Kosovën.
Zoti Kirby tha se Shtetet e Bashkuara nuk planifikojnë të shtojnë numrin e trupave amerikane në misionin paqëruajtës të NATO-s, KFOR, ndërkohë që NATO-ja ka paralajmëruar se do të rrisë numrin e trupave të misionit të saj në Kosovë pas sulmit të grupit të grupit të armatosur serb ndaj policisë së Kosovës, në pjesën veriore të vendit, më 24 shtator.
(r.m.)