Uashington, 15 mars 2022 – Pas më shumë se dy javësh nga fillimi i një lufte të cilën ai parashikonte ta dominonte brenda dy ditësh, Vladimir Putin po shfaq zemërim dhe zhgënjim nga dështimet e ushtrisë së tij dhe një gatishmëri për të shkaktuar edhe më shumë dhunë dhe shkatërrim në Ukrainë, sipas vlerësimit të zyrtarëve të zbulimit amerikan.
Ditët e fundit zyrtarët kanë thënë publikisht se janë të shqetësuar se presidenti rus do të përshkallëzojë konfliktin në përpjekje për të thyer rezistencën e Ukrainës. Rusia ende ka avantazhe mbizotëruese ushtarake dhe mund të vazhdojë ta bombardojë vendin për javë të tëra. Dhe ndërsa pjesa tjetër e botës reagon ndaj imazheve të tmerrshme të luftës që ai filloi, presidenti Putin mbetet i mbrojtur nga presioni i brendshëm nga ajo që drejtori i CIA-s, William Burns e quajti një “flluskë propagande”.
Edhe pse vështirë për t’u analizuar nga larg, i kuptuari i mendësisë së presidentit rus, është kritik për Perëndimin ndërsa vazhdon të ofrojë më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën si edhe për ta parandaluar zotin Putin që të sfidojë drejtpërdrejt vendet e NATO-s ose ndoshta të shtypë butonin bërthamor. Duke raportuar para Kongresit javën e kaluar, zyrtarët e zbulimit shprehën hapur shqetësimet për atë që mund të bënte presidenti Putin. Dhe këto shqetësime gjithnjë e më shumë u japin formë diskutimeve për atë që vendim-marrësit amerikane janë të gatshëm të bëjnë për Ukrainën.
Për mbi dy dekada, presidenti Putin ka vënë nën kontroll total qeverinë dhe shërbimet e sigurisë ruse, duke qeverisur me një rreth të vogël të brendshëm, duke shtypur kundërshtimet dhe duke burgosur ose vrarë opozitën. Ai ka kritikuar prej kohësh shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, ka hedhur poshtë pretendimet e Ukrainës për sovranitet dhe ka thënë se rusët do të dilnin si “martirë” nga një luftë e mundshme bërthamore. Zoti Burns u tha ligjvënësve se ai besonte se për vite me radhë presidenti rus “bluante në mendjen e tij një përzierje të rrezikshme pakënaqësish dhe ambicjesh”.
Drejtori i CIA-s tha se udhëheqësi rus parashikonte ta pushtonte Kievin brenda dy ditësh. Por në fakt, ushtria e tij nuk ka arritur të marrë kontrollin e qyteteve të mëdha dhe ka humbur disa mijëra ushtarë deri tani. Perëndimi ka vendosur sanksione dhe masa të tjera që kanë paralizuar ekonominë ruse dhe kanë ulur standardet e jetesës për oligarkët dhe qytetarët e zakonshëm. Pjesa më e madhe e valutës së huaj që Rusia kishte grumbulluar për t’u mbrojtur nga sanksionet, tani është e ngrirë në bankat jashtë vendit.
Zoti Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Moskë dhe është takuar shumë herë me zotin Putin. Ai u tha ligjvënësve në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me gjendjen mendore të presidentit rus se ai nuk besonte se Putini ishte i çmendur.
“Unë mendoj se Putini është i zemëruar dhe i irrituar tani,” tha ai. “Ai ka të ngjarë të dyfishojë fushatën e tij dhe të përpiqet të rrëzojë ushtrinë ukrainase pa marrë parasysh viktimat civile.”
Pretendimet e fundit të pambështetura të Rusisë se Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë Ukrainën të zhvillojë armë kimike ose biologjike sugjerojnë se Putini mund të jetë vetë i përgatitur për t’i dislokuar ato armë që t’i përdorë si pretekst”, tha zoti Burns.
Nuk duket të ketë ndonjë rrugëdalje për t’i dhënë fund luftës. Është pothuajse e paimagjinueshme që presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili ka fituar admirim në mbarë botën për udhëheqjen e rezistencës së vendit të tij, të njohë papritur aneksimin e Krimesë nga Rusia ose të mbështesë dhënien e autonomies për rajonet e Ukrainës lindore të afërta me Rusinë. Edhe nëse ai merr nën kontroll Kievin dhe rrëzon zotin Zelenskyy, presidenti rus duhet të marrë parasysh të përballet me një kryengritje të mbështetur nga Perëndimi në një vend me më shumë se 40 milionë banorë.
“Ai nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme politike përballë asaj që do të vazhdojë të jetë qëndresë e ashpër nga ukrainasit,” tha zoti Burns.
Udhëheqësit evropianë po përpiqen të vazhdojnë një dialog me Putinin. Kryeministri Xavier Bettel i Luksemburgut bideoi me të të hënën dhe “bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm”, sipas postimit të zotit Bettel në Twitter. Një zëdhënës tha se ishte inkurajuar të kontaktonte presidentin rus nga udhëheqës të tjerë të cilët “donin të siguroheshin që ai të vazhdonte të fliste me ta”. Zoti Bettel foli gjithashtu edhe me presidentin Zelenskyy.
Avril Haines, drejtore e zbulimit kombëtar të Presidentit Joe Biden, tha se presidenti Putin “e percepton këtë si një luftë që nuk duhet ta humbasë. Por ajo që ai mund të jetë i gatshëm të pranojë si fitore mund të ndryshojë me kalimin e kohës duke pasur parasysh pasojat e konsiderueshme.”
Analistët e zbulimit mendojnë se ngritja e nivelit të gatishmërisë bërthamore të Rusisë kishte “ndoshta si synim të frenonte Perëndimin që të vazhdonte të jepte mbështetje për Ukrainën,” tha ajo.
Qëndrimi i përmbajtur i Shtëpisë së Bardhë në mënyrë që të shmangë një përshkallëzim të mundur ka bërë të pakënaqur herë-herë si demokratët ashtu edhe republikanët. Pasi kishte lënë të kuptohej se mund ta mbështeste, administrata e presidentit Biden refuzoi ditët e fundit të pranonte një plan polak për t’i dhuruar avionë luftarakë të epokës sovjetike Ukrainës, që do të kërkonte ndihmën e Shteteve të Bashkuara për t’i transferuar. Më herët administrata kishte vonuar sanksionet për gazsjellësin Nord Stream 2 dhe fillimisht nuk dërgoi raketa mbrojtëse ajrore Stinger në Ukrainë. Më pas Shtëpia e Bardhë ndryshoi kursin.
E pyetur të enjten, zonja Haines tha se presidenti rus mund ta konsideronte transferimin e avionëve si diçka më të rëndë se dërgimi i armëve antitank dhe anti-ajrore. Ajo nuk tha nëse zbulimi amerikan kishte informacion që ta mbështeste këtë ide.
Ligjvënësi demokrat nga Ilinoi, Mike Quigley, anëtar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se administrata e zotit Biden ka qenë “gjithmonë një ose dy hapa mbrapa” nga frika se mos nxiste më tej acarimin e presidentit rus. Ai i kërkoi Shtëpisë së Bardhë të binte dakord me shpejtësi për transferimin e avionëve.
Ndërkohë, ndërsa dhuna përkeqësohet dhe shtohet numri i të vrarëve mes rusëve, Perëndimi po përpiqet të shohë shenja të çarash në “flluskën propagandistike” të Putinit. Një analist i pavarur politik rus, Kirill Rogov, shkruante në faqen e tij në Telegram se lufta është “e humbur” dhe një “dështim epik”.
“Gabimi ishte tek ideja se Perëndimi nuk ishte i gatshëm t’i rezistonte agresionit, se ishte letargjik, i pangopur dhe i përçarë,” shkruante analisti.
“Ideja se ekonomia ruse është e vetë-mjaftueshme dhe e sigurt ishte gabim. Ishte e gabuar ideja se sa e aftë ishte ushtria ruse. Dhe gabimi kryesor ishte ideja se Ukraina është një shtet i dështuar dhe ukrainasit nuk janë një komb”.
“Katër gabime në marrjen e një vendimi janë shumë,” tha ai.
Para agresionit, një sondazh i kryer nga Qendra Levada, firma kryesore e pavarur e hulumtimit të opinionit publik në Rusi, arrinte në përfundimin se 60% e të anketuarve i konsiderojnë SHBA-në dhe NATO-n “iniciatorët” e konfliktit në Ukrainën lindore. Vetëm 3% u përgjigjën se ishte Rusia. Sondazhi u mbajt në janar dhe shkurt, dhe Qendra Levada nuk ka publikuar një sondazh të ri që nga fillimi i luftës.
Të huajt shpresojnë se rusët e zakonshëm do t’i përgjigjen rënies së mprehtë të standardeve të tyre të jetesës dhe do të gjejnë përshkrime të sakta të luftës përmes të afërmve dhe në internet, përfshirë përdorimin e softuerit VPN për të anashkaluar bllokimet e Kremlinit në mediat sociale. Televizioni shtetëror rus vazhdon të transmetojë akuza të rreme ose të pambështetura në lidhje me qeveritë e SHBA-së dhe Ukrainës dhe të përhapë idenë se Rusia duhet ta fitojë me çdo kusht luftën.
“Përndryshe, kjo do të çojë në vdekjen e vetë Rusisë,” tha në kanalin televiziv shtetëror Russia 1, Vladimir Solovyov, drejtuesi i një emisioni të përditshëm në radio javën e kaluar.
(Zëri i Amerikës)