Sarajevë, 24 maj 2024 – Ambasada amerikane në Sarajevë e cilësoi si akt të rrezikshëm paralajmërimin e Presidentit të Republikës Serbe se brenda 30 ditësh qeveria e këtij entiteti të Bosnjës e Herecegovinës do ta hartojë një marrëveshje për “ndarje paqësore”, të cilën do t’ia ofrojë Federatës së Bosnjës e Hercegovinës.
Në në deklaratë për publikun, kjo ambasadë thekson se “ndarja” nënkupton shkëputjen e Republikës Serbe, gjë që përbën “një veprim të rrezikshëm, të papërgjegjshëm dhe kundër Dejton që e vë në rrezik tërësinë territoriale, sovranitetin dhe karakterin multietnik të Bosnjës e Hercegovinës”.
“Këto janë interesa thelbësore amerikane. Shtetet e Bashkuara do t’i ruajnë dhe do t’i mbrojnë ato, ndër të tjera, duke i mbajtur përgjegjës ata që i vënë në rrezik”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Bosnjë e Herecegovinë.
Në deklaratë theksohet se ndarja apo shkëputja e Republikës Serbe do të thotë fund për këtë entitet.
“Republika Serbe mund të ekzistojë vetëm brenda Bosnës e Hercegovinës. Shkëputja apo ‘ndarja’ e Republikës Serbe nuk do të thotë pavarësi për Republikën Serbe apo fund për Bosnën e Hercegovinës, por do të thotë fund për Republikën Serbe”, theksohet në deklaratë.
Deklarata e plotë e Ambasadës së SHBA-së në Sarajevë:
Dje, z. Dodik paralajmëroi se qeveria e Republikës Serbe (RS) ka marrë vendim formal që të propozojë “ndarjen” e RS nga Bosnja e Hercegovina (BeH). Thënë me emër tjetër, kjo është shkëputje e RS, gjë që është e rrezikshme, e papërgjegjshme e kundër Dejtonit dhe e vë në rrezik integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të BeH. Këto janë interesat thelbësore të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara do t’i ruajnë dhe mbrojnë ato, ndër të tjera, duke i mbajtur përgjegjës për veprimet e tyre ata që i vënë në rrezik.
Z. Dodik dhe qeveria e RS janë përpjekur ta justifikojnë këtë vendim duke u bazuar në një sërë gënjeshtrash dhe dezinformatash, të cilat janë krijuar me qëllim që ta frikësojnë publikun e RS për t’i ndjekur në këtë rrugë të rrezikshme. Faktet janë të thjeshta dhe të qarta. Nuk ka asnjë konspiracion ndërkombëtar për të shfuqizuar RS dhe z. Dodik nuk mund të thirret në asnjë deklaratë të vetme të ndonjë zyrtari amerikan që bën thirrje për shfuqizimin e RS. BeH nuk është bashkësi e dy entiteteve. Siç thuhet shprehimisht në Marrëveshjen Paqesore të Dejtonit dhe në Kushtetutën e BeH, BeH është shtet që e trashëgon Republikën e Bosnjës e Hercegovinës. Kushtetuta e BeH nuk ua njeh entiteteve apo cilësdo njësie tjetër nënshtetërore të drejtën e ndarjes apo të “shkëputjes”. RS mund të ekzistojë vetëm brenda BeH. Ndarja ose “shkëputja” e RS nuk do të thotë pavarësi për RS ose fund për BeH, por do të thotë fund për RS.
Veprimet e zotit Dodik vënë në rrezik të ardhmen brenda institucioneve euro-atlantike gjë që e dëshiron populli i BeH, përfshirë edhe atë të RS. Rruga e propozuar nga ai do të bënte që banorët e RS, si edhe fëmijët dhe nipërit e tyre, të mos kenë jetë në paqen, begatinë dhe demokracinë që e meritojnë.
https://x.com/USEmbassySJJ/status/1793920216541343745?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1793920216541343745%7Ctwgr%5E8aff8b0b0756645f56a6c0769e3d2e44b41753fd%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.zeriamerikes.com%2Fa%2F7625339.html
(r.m.)