Uashington, 9 qershor 2021 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ripohon angazhimin e Uashingtonit për të luftuar korrupsionin në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara janë të ndërgjegjshme se korrupsioni kërcënon barazinë ekonomike, luftën kundër varfërisë, përpjekjet për zhvillimin ekonomik, si dhe vetë demokracinë. Korrupsioni, kudo që të jetë, dëmton drejtpërdrejtë politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara, si dhe aleatët e partnerët tanë”, thekson zoti Blinken, në një deklaratë të lëshuar pas Urdhërit Ekzekutiv të Presidentit Biden për të zgjeruar hartën dhe kriteret e vendosjes së sanksioneve ndaj individëve dhe organizatave që përfshihen në korrupsion dhe krim të organizuar në Ballkanin Perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara”, thekson zoti Blinken, “janë të angazhuara për të nxitur llogaridhënien si dhe për të luftuar pandëshkueshmërinë ndaj atyre që janë përfshirë në raste madhore korrupsioni në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë”.
Duke e shpallur luftën kundër korrupsionit si një prioritet të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, administrata Biden duket se është e përgatitur të mbajë ndaj individëve, që beson se përfshihen në akte madhore korrupsioni dhe që minojnë shtetin ligjor, të njejtin qëndrim si ndaj atyre që kanë rrezikuar paqen në Ballkanin Perëndimor.
Sipas zotit Blinken, urdhëri i fundit ekzekutiv i Presidentit Biden zgjeron hartën e sanksioneve në Ballkanin Perëndimor duke përfshirë disa marrëveshje të viteve të fundit, siç është ajo e Prespës e vitit 2018, apo zgjatja e mandatit të Gjykatës së Hagës për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi.
Veç atyre që rrezikojnë paqen e sigurinë, sanksione mund të vendosen tani edhe ndaj individëve që destabilizojnë rajonin duke minuar insitucionet demokratike dhe shtetin ligjor, ose që shkelin të drejtat e njeriut.
Për të goditur në mënyrën më të mirë rrjetet e korrupsionit të shtrira në Ballkanin Perëndimor, thekson Sekretari Blinken, Urdhëri Ekzekutiv përfshin tani edhe Shqipërinë.
Deri tani, Urdhëri Ekzekutiv, një vazhdimësi në vite e qëndrimeve të administratave të ndryshme amerikane që nga viti 2001, përfshinte vetëm vendet e dala nga shpërbërja e dhunshme e ish Jugosllavisë.
“Urdhëri Ekzekutiv autorizon vendosjen e sanksioneve ndaj individëve, apo enteve, që janë përgjegjëse për korrupsion në rajon, që janë përfshirë në përvetësim fondesh publike, tjetërsim pronash private për përfitime personale apo politike, ose të përfshirë në ryshfete. Pronat, ose interesat në prona të ndryshme, që personat e përcaktuar në bazë të Urdhërit Ekzekutiv, kanë në Shtetet e Bashkuara, ose që kanë lidhje me Shtetet e Bashkuara, apo bien në duar të personave në Shtetet e Bashkuara, do të bllokohen dhe shtetasit amerikanë janë të ndaluar të kryejnë transaksione me ta. Veç kësaj, individët, që përcaktohen në bazë të këtij urdhëri, nuk do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, thekson Sekretari Blinken.
(Zëri i Amerikës)