SHBA: Thirrje për shmangien e grumbullimeve për Vitin e Ri

Uashington, 31 dhjetor 2021 – Në Shtetet e Bashkuara, autoritetet u bënë thirrje qytetarëve që të mos mblidhen në grupe të mëdha në mënyrë që të shmanget një përhapje më e madhe e koronavirusit.

Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive, u ka bërë thirrje qytetarëve që Vitin e Ri ta kalojnë me familjet dhe me miqtë e tyre të vaksinuar, në grupe të vogla.

“Ne po përjetojmë krizën më të madhe të shëndetit publik të kohës sonë”, ka thënë mjeku Jonathan Reiner, nga Universiteti Goerge Washington, transmeton Zëri i Amerikës.

Në Shtetet e Bashkuara të enjten u regjistrua një shifër rekord prej 580 mijë të infektuarish. Specialistët thonë se shifra mund të jetë shumë më e lartë, pasi shumë njerëz bëjnë teste në shtëpi dhe rastet pozitive nuk regjistrohen në regjistrin e të infektuarve.

Shtimi i infeksioneve i ka detyruar kompanitë ajrore anembanë botës të anulojnë mijëra fluturime. Shumë udhëtarë janë detyruar të heqin dorë nga udhëtimet  ose të ndërrojnë destinacionet.

Një valë e re infeksionesh nga koronavirusi e ka përfshirë gjithë botë, javët e fundit. Ekspertët kanë zbuluar se varianti i koronavirusit, Omicron, është shumë më i transmetueshëm se variantet paraprake.

Për fat të mirë, simptomat e infeksionitnga ky variant janë më të lehta se ato të varianteve tjera. Megjithatë, autoritetet përkujtojnë se vaksinimi është mbrojtja mëemirë  nga infeksioni me këtë virus.

(r.m.)