Uashington, 28 tetor 2023 – Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që “urgjentisht dhe seriozisht të angazhohen për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga dialogu” që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“I mirëpresim takimet që janë mbajtur për të avancuar procesin e normalizimit”, thuhet në përgjigjen e Departamenti Amerikan të Shtetit (DASH) për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe lidhur me takimin e liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, me përfaqësuesit e BE-së dhe me liderët e shteteve anëtare që u zhvilluan të enjten.
“Ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si e vetmja mënyrë që do të sigurojë marrëdhëniet e tyre paqësore dhe produktive dhe do të përmbushë aspiratat e tyre për anëtarësim në Union”, thuhet në përgjigjen e DASH.
Kurti e Vuçiqi u takuan ndaras me Presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme, Joseph Borrell, emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Presidentin francez Emmanuel Macron, dhe Kryeministren italiane Giorgia Meloni. Në këto takime u bisedua për “planin evropian” për nomalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, i cili përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe njohjen “de facto” të Kosovës nga Serbia.
Shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, tha se të dyja palët parashtruan kushte të papranueshme për njëra-tjetrën, prandaj nuk u arrit pajtim me planin evropian.
(r.m.)